Shtyhet procesi gjyqësor për Emiliano Shullazin dhe të pandehurit e tjerë. Sot, dha dëshminë e tij Luftar Reçi në lidhje me vrasjen e Vajdin Lames dhe Klodian Saliut, ngjarje kjo e ndodhur 18 vite më parë. Më pas Gjykata vendosi të shtyjë seancën për në datë 3 prill, në mënyrë që t’u japë më shumë kohë avokatëve që të marrin në dispozicion audion e seancës së sotme për t’i ballafaqur me deklarimet e dhëna gjatë fazës hetimore.
Nga burgu i Drenovës ku vuan dënimin, Reçi u transportua drejt GJKKO nën masa të rrepta sigurie pasi kërkesa e tij për të dëshmuar me ‘Skype’ nuk u pranua.
Me kërkesë të SPAK, trupi gjykues vendosi që seanca të mbahet me dyer të mbyllura, me argumentin se cenohet siguria e dëshmitarit dhe në të njëjtën kohë mund të bëhen të dhëna publike që mund të cenojnë procesin. Të pandehur për këto dy vrasje janë marrë, Viktor Ymeri, Emilajno Shullazi, Plaurent Dervishaj, Lulzim Berisha, Indrit Rusi, Indrit Taullai dhe Luftar Reçi.
Por çfarë rrëfeu Luftar Reçi?
Ngjarja e parë kriminale është vrasja e Klodian Saliut, i njohur si rivali i Lulzim Berishës, e ndodhur më 26 shkurt 2005, ku Saliu u ekzekutua në Maminas dhe që prej asaj kohe gjithnjë është përfolur se pas ngjarjes qëndronte Lulzim Berisha. Ngjarja e dytë kriminale, që SPAK akuzon grupin si ekzekutor është vrasja e biznesmenit Vajdin Lame. Biznesmeni u vra me lëndë shpërthyese më 27 shkurt të vitit 2005, dhe bashkë me të humbi jetën edhe Artan Arsi. Dosja.al, raportoi ekskluzivisht rihapjen dosjeve të bujshme të dy vrasjeve që tronditën Shqipërinë në vitin 2005 duke siguruar dhe dosjen hetimore pas rrëfimit të të penduarit Luftar Reçi. “Asgjë nuk harrohet” mori emrin operacioni që vuri në pranga disa nga të akuzuarit.

