Drejtori për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Policinë e Shtetit, Lutfi Minxhozi, bëri me dije detaje, për operacionin policor “RANISHTJA” ku u arrestuan e ndaluan 10 zyrtarë dhe ish-zyrtarë publikë, si dhe u shpall në kërkim një tjetër.
Sipas policisë së shtetit hetimi 9 mujor nxorri në dukje falsifikimin dhe tjetërsimin e 36 hektarëve tokë shtetërore ranishte në zonën bregdetare Spille Kavajë.
Por si vepronte grupi:
- Përpara se të përpilonin çertifikatat e pronësisë, fillimisht identifikonin banorët e mirëbesuar të cilët do të përfitonin padrejtësisht tokën.
Më pas identifikohej blerësi dhe bëhej regjistrimi i menjëhershëm në hipotekë, si dhe akti i shitblerjes së pasurisë.
Këto akte në shumicën e rasteve, kryheshin pa u vënë në dijeni banorët në emrat e të cilëve përpiloheshin dokumentat e pronësisë.
- Shtetasi Ilir KAJA me detyrë Agronom i Komunës Kryevidh dhe ish-kryetarët e komunave, Fatos Kaja dhe Bexhet Pjeçi, duke patur dijeni mbi gjendjen faktike të tokës pa frut shtetërore, kanë organizuar fiktivisht komisione të ndarjes së tokës në mënyrë të jashtëligjshme dhe kanë plotësuar fiktivisht AMTP, në emër të banorëve duke u firmosur nga anëtarët e komisioneve si, Agron Xhelezi, Nezir Leçini, Dashnor Çullhaj, dhe Bajram Dorzi, etj.
Komisionet fiktive të ngritura në kundërshtim me ligjin vepronin:
- Përpilonin Aktet e Marrjës së Tokës në Pronësi (AMTP-t) të falsifikuara sikur kjo tokë ishte ndarë që në vitin 2000-2003 dhe i dërgonin në ZVRPP Kavajë.
- Përpilonin dhe plotësonin listat fiktive me AMTP-të, sikur ishin plotësuar gjatë viteve 2000-2003 kur aplikohej ligji 7501.
- Bënin pagesat bankare në emër të personave që do të përfitonin tokën
Pas dërgimit të AMTP-ve në ZVRPP Kavajë, regjistruesi S.C., hartografi Dritan Kazazi, juristi Andi Gjeci dhe protokollistja A. Gj,, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprimet e kundraligjshme në regjistrimin e pasurive nga tokë shtetërore në tokë arë, në dëm të interesave të shtetit.
Të gjitha veprimet e kundraligjshme janë ndjekur vazhdimisht nga regjistruesi S.C., si protokollimi i shkresave të ish Komunës Kryevidh në ZVRPP Kavajë, dërgimi i shkresave fiktive ne Këshillin e Qarkut, protokollimi i përgjigjeve fiktive të ardhur nga Këshillit të Qarkut në ZVRPP Kavajë.
Regjistruesi në ZVRPP Kavajë, mbi bazën e këtyre shkresave fiktive ka urdhëruar regjistrimin e pronave të sipërpërmëndura në mënyrë të jashtëligjshme.
Nga ky regjistrim abuziv, kanë përfituar tokë të paktën 108 shtetas të ndryshëm, një pjesë e të cilëve as nuk kanë dijeni se kanë marrë tokë, dhe nuk kanë bërë asnjë kontratë shitje.
