Edhe pse do të duhet të ishte në arrest shtëpie, Faton Murati ka mundur të lëvizë lirshëm jashtë dhe brenda vendit. Dosja ka mësuar se më 19 janar 2023, Fatjon Murati ka dalë nga pika kufitare e Morinës edhe pse do të duhet të ishte në Shqipëri, për të vijuar gjykimin për armëmbajtje pa leje. Pala shqiptare ka bërë vulosjen e daljes, e cila është e regjistruar në sistemin TIMS. Ai doli më 19 janar dhe u kthye disa ditë më vonë. Ajo që është e paqartë është mënyra sesi policia, që është përgjegjëse për ruajtjen e personave në masën e arrestit shtëpiak nuk ka mundur dot të verifikojë lëvizjet e Muratit, që ka arritur të dalë edhe jashtë vendit.
Nga janari ai mendohet se ka qenë në Shqipëri deri dy ditë para masakrës së Don Boskos, një atentat që dyshohet se kishte si shënjestër Fatjon Muratin. Ai ishte pronari i lokalit ku ndodhi ngjarja.
Masakra ndodhi më 12 mars në Don Bosko. Dy persona qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të lokalit të Fatjon Muratit duke lënë të vdekur banakieren Mimoza Paja, 58 vjeçe dhe pesë të tjerë të plagosur, mes tyre dhe një vajzë 10-vjeçare që u dëmtua nga xhamat e thyer. Të plagosurit e tjerë janë Sahit Murati (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Murati vetë ndodhej jashtë Shqipërisë në momentin që u krye atentati. Ai është i njohur në botën e krimit dhe si miku i ngushtë i Endrit Dokles, madje është marrë në pyetje për masakrën e Fushë Krujës, ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj me dy miqtë e tij. Murati tashmë është shpallur në kërkim.

