Largimi nga dhomat e shoqërimit të komisariatit Pukë të një 20 vjeçari të arrestuar si autor i një grabitje me dhunë , ka nxjerrë në dritë fakte dhe të dhëna për gjendjen skandaloze të ambjenteve.
Zyrtarë të Policisë së Shtetit i thanë sosnews se gjatë hetimit disiplinor është konstatuar se dhoma e shoqërimit në këtë komisariat e vendosur në katin e dytë , rezulton me derë druri gjysëm të kalbur dhe pa kushtet minimale , me tela dritare të shkëputura që i kanë mundësuar 20 vjeçarit Ermirjon Nikja të kapërcej nga kati i dytë dhe të largohet nga pjesa e mbrapme e godinës.
Sipas të njëjtave burime,i pashpejgueshëm rezulton fakti që dhomat e paraburgimit që kanë qenë në katin e parë dhe që më pas u përdorën si dhoma shoqërimi me të gjitha kushtet e sigurisë janë mbyllur me urdhër të Shefit të rendit Haki Sula 2 muaj më parë. Ndaj këtij të fundit ka nisur hetimi disiplinor deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe përgjegjësia për mbylljen e dhomave me standarte.

Policët e këtij komisariati kanë treguar se të shoqëruarit në shumë raste janë detyruar ti mbajnë të lidhur me pranga në zyrë njërën dorë polici dhe tjetrën i shoqëruari për shkak të mungesës së kushteve.
Pavarësisht ankesave të adresuara tek drejtuesit e policsë vendore dhe drejtorisë së qarkut nuk ka patur asnjë zgjidhje.
Ermirjon Nikja lindur në fshatin Karme i Vaut Dejes banues në Laprakë dyshohet se është autor i grabitjes me dhunë në Gomsiqe të një shtetasi, ngjarje e ndodhur më datë 24.08.2017, i cili u kap më datën 06.09.2017 nga forcat e Komisariatit të Policisë nr 3 Tiranë për llogari të Komisariatit të Policisë Pukë.
Sot i arrestuari Nikja kishte seancën gjyqesore pēr vlerësim të masës së sigurisë ku Gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg”, ndaj tij.
Për kapjen e tij menjëherë janë nisur në drejtim të Pukës , 6 grupe të FNSH, por pa rezultat.
Pak orë më vonë SHÇBA arreston 2 punonjës policie, për shpërdorim detyre. Arrestimi i dy punonjësve u bë pas kryerjes së veprimeve hetimore ku u konstatua se nga ana e tyre nuk janë zbatuar detyrat funksionale të përcaktuara për sigurimin e personave të shoqëruar dhe ambjenteve ku ata qendrojnë.
/SOSNEWS

