Policia e Shtetit ka bërë “inventarin” për armët e gjetura të groposura mes pallateve tek zona e “5 majit” në Tiranë. Sipas njoftimit të bërë nga Policia, bëhet me dije se të groposura janë gjetur: kallashë, mitraloz të lehtë, mitraloz të rëndë, pushkë, municione luftarake dhe pajisje optike ushtarake. Armët ishin të futur në thasë, por nuk dihet se sa kohë kishin që ishin vendosur nën tokë, ndoshta për të mos u gjendur kurrë. Të gjitha armët e gjetura janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminim në mënyrë që të gjendet se kush dhe ku janë përdorur. Ndoshta për të zbardhur edhe ndonjë ngjarje kriminale në vendin tonë.

NJOFTIMI I POLICISË SË SHTETIT:
Sekuestrohen pjesë të armëve të ndryshme, dylbi për snajper, një granatëhedhës, karikatorë dhe municion luftarak. Më datë 05.10.2022, në rrugën “Besim Fagu”, Tiranë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas informacioneve të marra në rrugë operative se disa persona, për shkak të presionit të Policisë, kishin transportuar dhe hedhur në një ambient të jashtëm, pjesë armësh e municion luftarak, menjëherë kanë ushtruar kontroll dhe kanë gjetur në rrugën “5 Maji”, pjesë armësh të ndryshme (kallashi, mitralozi të lehtë, mitralozi të rëndë, pushke), municione luftarake dhe pajisje optike ushtarake, të futura në thasë. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, vijon punën për identifikimin e poseduesve të armëve dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti. Provat materiale do dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminim.
Baza e armëve që u gjetën në Tiranë, në zonën e ‘5 Majit’ është zbuluar nga përgjimi i vëllezërve Beqiraj. Mësohet se Policia e Tiranës kishte dy ditë që i kishte zbuluar armët përmes telefonatave të bëra nga vëllezërit Indrit dhe Gentjan Beqiraj që zbërthyen një grup kriminal me vrasës me pagesë e me bazë në Durrës. Por, vetëm dje është zhvilluar aksioni për sekuestrimin e armëve.

