Studimet mbi krimin e organizuar në Shqipëri janë shumë të pakta për shkak të vështirësisë dhe rrezikshmërisë që paraqesin në mbledhjen e të dhënave. Por dy studiuesit Fabian Zhilla dhe Besfort Lamallari kanë sjellë një material të thelluar studimor rreth strukturave të krimit të organizuar vë vendin tonë.
Analizimi i një sërë vendimesh gjyqësore kundër drejtuesve dhe pjesëtarëve të këtyre strukturave kriminale ka mundësuar ofrimin e një tabloje të përbërë nga karakteristika si njohjet dhe lidhjet midis tyre, niveli i armatimit dhe dhunës së përdorur, ndërveprimi me agjencitë ligjzbatuese, prokurorinë dhe gjykatat, si dhe veçori të tjera.
Pohimet e ekspertëve të intervistuar dhe burime të shkruara dëshmojnë për më tepër, lidhje të tyre me parti politike dhe politikanë të caktuar në vend, gjatë periudhës së analizuar. Anësia partiake dhe ndërveprimi me politikën paraqitet te disa prej bandave të armatosura që kanë vepruar në rajone si Tirana, Durrësi, Elbasani, Vlora, Korça, Berati, Fieri, Lushnja, dhe Tropoja.

Sipas autorëve objekt i këtij Studimi ka qenë evidentimi i shfaqjes dhe evoluimit të strukturave të krimit të organizuar gjatë periudhës 1990-2015, nëpërmjet kuptimit më të mirë të tipologjisë së organizimeve kriminale shqiptare, që prej shfaqjes së tyre .
Ky studim pasi nxjerr në dritë forma të krimit të organizuar qysh në regjimin komunist, siç ishte rasti i njësisë speciale “101K” për kontrabandimin e cigareve, shpjegon se si ish agjentë të Sigurimit, ushtarakë, policë, shoferë të cilët kishin patur mundësinë të lëviznin jashtë vendit si dhe sportistë të dikurshëm shfrytëzuan përgatitjen, njohuritë dhe lidhjet e tyre me diasporën për të përfituar nga veprimtari të paligjshme si kontrabanda dhe trafikimi. Pjesë e kanaleve të paligjshme u bënë dhe segmente shtetërore dhe politike, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe tërthortë. Përgjatë tranzicionit politik, organizimet kriminale kanë shfaqur tipare të ndryshme në përshtatje të zhvillimeve të kohës duke shkuar gradualisht drejt sofistikimit.
Për shkak të tipareve të veçanta të evoluimit të strukturave kriminale ndër vite, studimi është ndarë në dy periudha kohore (1990-2003 dhe 2004-2015), duke ofruar njëkohësisht një lehtësi në të kuptuarin e karakteristikave të tyre. Strukturat më të rrezikshme kriminale që kanë vepruar në Shqipëri deri në vitin 2003 janë marrë në shqyrtim me qëllim për të kuptuar natyrën, si dhe faktorët që kanë lejuar dhe nxitur shfaqjen dhe lulëzimin e tyre.
Rreth vitit 2003, format e hershme të krimit të organizuar në vend filluan të evoluojnë dhe përshtaten ndaj ripërtëritjes së institucioneve, forcimit të hetimeve, ndjekjes penale dhe goditjes ndaj tyre.
Kryesisht pas vitit 2005, strukturat e dikurshme të bandave të armatosura apo organizatave kriminale u zëvendësuan gradualisht me rrjete kriminale të përbëra nga grupe autonome, mjaft efikase dhe fluide, me role dhe përgjegjësi në segmente të caktuara të veprimtarive të paligjshme kriminale.
Studimi u paraqit në një aktivitet të organizuar me pjesmarrjen e përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë, trupit diplomatik dhe misioneve të huaja asistuese. Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë mbështeti dy ekspertët e fushës për realizimin e këtij studimi./sosnews.al