U zhvillua sot në Tiranë një takim mes krerëve të policive të vendeve të rajonit dhe Italisë, si përfitues të projektit IPA 2019.

Në këtë forum ndërkombëtar diskutimi dhe ndërveprimi, morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, drejtues të lartë të Policisë shqiptare dhe asaj italiane, përfaqësues të policive të vendeve të rajonit, ekspertë të mbrojtjes e të menaxhimit të të dhënave dhe të sigurisë kibernetike.

Në qendër të diskutimit ishin rëndësia që ka ngritja dhe forcimi maksimal i sigurisë kibernetike dhe përdorimi efikas i përvojës dhe i mësimeve, të nxjerra nga rastet e mëparshme kur agjenci të ndryshme publike, ranë pre e sulmeve kibernetike.

Të pranishmit u dakordësuan për bashkëpunim ndërshtetëror, trajnime të vazhdueshme, koherente dhe maksimizimin e teknologjisë, në luftën e përbashkët kundër krimeve kibernetike.

Gjatë këtij takimi, Zv/drejtori i Përgjithshëm i Sigurisë Publike, njëkohësisht Drejtor Qendror i Policisë Kriminale të Italisë, Prefekti Vittorio Rizzi theksoi: Vlera e shtuar e këtij projekti është shkëmbimi i përvojave, në çaste të tilla, shumë të rëndësishme për sigurinë e shteteve tona, kur përjetimi dhe përballimi i sfidave të tilla të ashpra, si sulmet kibernetike, kanë qenë tërësisht të përbashkëta. Ky projekt përbën gjithashtu, një nxitje për reflektim të thellë institucional, për rreziqet që na kanosen në të ardhmen dhe potencialet e kapacitetet tona, të bashkuara, për t’i luftuar dhe për t’i mposhtur ato.

Ndërkaq, gjatë fjalës së tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Muhamet Rrumbullaku tha: Takimi i sotëm është i një rëndësie strategjike, pasi veprimtaritë e institucioneve që ne përfaqësojmë zhvillohen në kohën e dixhitalizimit dhe për rrjedhojë edhe nën kërcënimin e fenomeneve të ndryshme kriminale kibernetike, të cilat kanë tashmë përmasa të mirëfillta globale dhe na vënë përballë sfidave të reja. Mburoja kibernetike shtetërore nuk është një objektiv i cili mund të përmbushet vetëm. Krimet e kësaj natyre nuk kanë nacionalitet, por janë të kudondodhura, të menjëherëshme dhe gjithnjë e më shumë agresive e më të përparuara, andaj është përgjegjësia jonë e përbashkët që të marrim mësime nga ngjarjet e mëparshme, të jëmi vigjilentë e të përgatitur që identiteti, prona dhe puna, të cilat ua kemi besuar tashmë platformave online, të jenë të pacënuara dhe të mbrojtura.

Policia e Shtetit po bashkëpunon si në nivel teknik ashtu dhe në atë hetimor, me institucione dhe agjenci të zbatimit të ligjit, brenda dhe jashtë vendit, si dhe me Europol-in dhe Interpol-in.

Në vijim të takimit të pranishmit u shprehën se është domosdoshmëri përqëndrimi dhe shumëfishimi i të gjitha kapaciteteve njerëzore dhe logjistike, në drejtim të luftës ndaj krimeve kibernetike.

Hapësirat virtuale janë “territore” të përbashkëta, ku vigjilenca, forca parandaluese dhe ajo ndëshkuese mund të bëhen pengesë e depërtimit të fenomeneve kriminale kibernetike, vetëm nëse janë të bashkërenduara dhe të menjëhershme.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version