Kryeministri Edi Rama ka kërkuar që autoritetet të zbardhin sulmin me kallashnikov ndaj Top Channel, ngjarje ku mbeti i vrarë roja i sigurisë, Pal Kola. Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se kjo ngjarje shënon një moment shqetësues. Ai shpreh ngushëllimet kundrejt familjes së të ndjerit dhe shton se ky sulm kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese.
Postimi:
Agresioni kriminal ndaj TCH me pasojë edhe një humbje jete të personelit të sigurisë, kërkon përgjigje të qartë nga agjencitë ligjzbatuese! Ngushëllime familjes së të ndjerit dhe krejt bashkësisë së TCH, e cila meriton solidaritetin e të gjithëve në këtë moment kaq shqetësues.
Ngjarja ndodhi rreth orës 01:00. Persona të paidentifikuar u afruan pranë Top Channel me një automjet tip ‘Range Rover’ me targa të vjedhura dhe qëlluan me breshëri kallashnikovi kundrejt ambienteve të televizionit. Një nga plumbat kapi rojen e sigurisë, Pal Kola, 60 vjeç, i cili ndërroi jetë në vend. Autorët u larguan nga vendngjarja, ndërsa mjeti bashkë me dy kallashnikovët u gjetën duke u djegur. Shkaqet e ngjarjes nuk dihen ende.