Sigurinë e territorit dhe atë publike, kryeministri Edi Rama ua besoi pajisjeve inteligjente kur nga Kuvendi i Shqipërisë, më 15 nëntor të vitit 2021 paralajmëroi heqjen e patrullave të policisë rrugore.

Nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, Rama tha se mbrojtja inteligjente e territorit dhe e sigurisë publike do të ketë në dorë luftën kundër krimit të organizuar, ndjekjen e elementëve kriminalë e të veprimtarive të tyre. Ai shtoi më tej se me ndihmën e satelitëve e të dronëve do të jepen informacione reale dhe madje nuk do të jetë më nevoja që të ketë efektivë në rrugë.

“Mbrojtja inteligjente e territorit dhe e sigurisë publike hyn në një fazë tjetër, me satelitët dhe dronët. Do të kemi informacione reale, në lidhje me sigurimin e makinave, lidhur me makinat që mund të jenë në kërkim, duke hequr përfundimisht nga rruga policinë. Ato patrullat, trarët e ato kontrollet sy më sy e vesh më vesh me qytetarët,”- thoshte Rama në atë kohë. 

Por, kur “Audi A8” fluturoi nga mbikalimi i Saukut dhe shkaktoi tre të vdekur, kritika e opinionit publik ra mbi Policinë Rrugore.

Ku ishin efektivët? Si kaloi Klevis Ruçaj me mbi 200 kilometra në orë dhe nuk e ndaloi askush? Këto ishin pyetjet më të shpeshta dhe kryepolici Muhamet Rrumbullaku nxitoi të përgjigjej.

Duke ‘zeruar’ fjalët e shefit të qeverisë dhe fuqinë e pajisjeve inteligjente, Muhamet Rrumbullaku iu rikthye metodave të vjetra. Situata u përkeqësua pas aksidenteve tragjike dhe populli kërkonte llogari, ndaj edhe pse patrullat e Policisë Rrugore ishin rralluar, bazuar në programin e ri të ruajtjes së territorit, mbrëmja e 10 marsit dhe mëngjesi i datës 11 i gjeti rrugët plotë me efektivë.

Misioni ishte i qartë: ndalo mjete, gjobit, pezullo patenta e arresto shoferë!

Por cila është politika që po ndiqet? A do të zhduken kontrollet fizike për t’ua besuar gjithçka pajisjeve në rrugë? Apo kjo metodë nuk rezultoi funksionale dhe do të kemi sërish efektivë në rrugë, pavarësisht tentativës së kryeministrit për të shmangur çdo kontakt me qytetarin e rrjedhimisht ryshfetin?!

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version