Qytetarët e lagjes numër 5 në Durrës kanë dalë në protestë ditën e sotme, pasi refuzojnë që të zhvendosen në periferi të qytetit. Duke qenë se pallatet në këtë lagje kanë mbetur të dëmtuara nga tërmeti, qytetarët kanë deklaruar se qeveria duhët që të prish këto pallate dhe t’i bëj sërish në të njëjtin vend.
“Pushteti dhe shteti janë bërë bashkë për të vjedhur pronat tona. Unë dua pronën time nuk dua asgjë falas”, tha një prej protestuesve.
Ndërkohë që një protestues tjetër ka deklaruar se nëse nuk përmbushen kërkesat e tyre, ata do ngrenë çadrat në të njejtën zonë dhe nuk do të lëvizin deri aty. Po ashtu një tjetër protestese ka deklaruar se deputeti i zonës që është Kryeministri Rama duhet të marr vendimet e duhura për këtë lagje.
“Unë jam banore e lagjes numër 5. Të gjithë ne që jemi të dëmtuar nga tërmeti do kalojmë në zonë e re. Ne duam të prishet dhe të rindërtohet aty ku e kemi. Duam të rishikohet bonusi i qirasë. Duke filluar nga sot do të ngremë çadrat këtu ku jemi. Nga këtu do shkojmë te kryeministri. Dua t’i bëj thirrje kryetarit të bashkisë dhe deputetit të zonës njëkohësisht që e kemi edhe kryeministër që të marrë vendimet e duhura për lagjen numër 5. Nuk kërkojmë asgjë. Ne nuk përballojmë dot qiratë. Ne jemi në pritje deri këtu”, thotë ajo.
Tërmeti i 26 nëntorit rezultoi tragjik, pasi humbën jetën 51 persona, mbi 900 të tjerë u lënduan, 47 u nxorën gjallë nga rrënojat. Ky tërmet shkaktoi edhe shumë dëme materiale, mijëra banesa u dëmtuan dhe për këtë Rama ka ngritur Komitetin e Rindërtimit. Ai ka premtuar se do të ndërtohet nga fillimi çdo banesë që ka dëme të strukturë, ndërsa ato që kanë dëme në mure do të riparohen nga firmat e ndërtimit. Ndërkohë, Rama premtoi se të gjitha familjet e prekura do të vendosen në banesa të reja, derisa të ndërtohen banesat e tyre. Sipas tij qiraja do të paguhet nga shteti. Por sipas banorëve të sotëm, ata kanë dy muaj pa marr lekët e qirasë, ndërkohë që po detyrohet që të lënë lagjen e tyre për të shkuar në periferi.

