Gazeta britanike The Independent ka bërë një shkrim për dhunën e policisë shqiptare kundrejt muxhahedinëve në qendrën e MEK në Manzë. Në në shkrim, dhunën policore, gazeta britanike e ka konsideruar si tronditëse, ndërkohë që ka shtuar se në kamp ishte krijuar një kaos total. Po ashtu në artikull theksohet se Departamenti amerikan i Shtetit e mori si të mirëqenë deklaratën e qeverisë shqiptare, por nuk bëri asnjë hetim të tijin në lidhje me dhunën.
Pjesë nga shkrimi:
Në Shqipëri, skena tronditëse u zhvilluan në Ashraf 3, selia e MEK, teksa qindra oficerë policie hynë në kompleksin e mbyllur ku një ekip privat sigurie zakonisht mbron banorët civilë nga kërcënimi i sulmeve terroriste nga agjentët iranianë. Fotot dhe videot e siguruara nga ‘Independent’ treguan kaos në terrenin e kampit, me burra dhe gra të moshuar që përballeshin me radhët e oficerëve të shumtë, që u hidhnin atyre spraj kimik. Lëndime të shumta shihen në imazhet e marra në vendin e ngjarjes, duke përfshirë një pamje ku një burrë i moshuar ka plagë të rënda në pjesën e përparme të kokës.
Në fotot e tjera, trupi i një burri të identifikuar si 65-vjeçari Ali Mostashari, është marrë nga vendi i dhunës, me shenja të çarjes ose mavijosjes së rëndë të dukshme në qendër të ballit të tij. Burimet nga vendi i ngjarjes thanë se zoti Mostarshari u vra nga një oficer policie pasi u godit; zyrtarët e policisë e kanë mohuar këtë për shërbimet e medieve lokale shqiptare. Në të njëjtën kohë, policia pretendon se oficerët e tyre nuk përdorën armë në asnjë rrethanë, një deklaratë që duket se kundërshtohet nga provat e plagëve dhe nga imazhet e oficerëve të shumtë që përdorin spërkatje kimike.
Në një pamje madje shihet një i moshuar me flokë të thinjura, që mbahet nga dy policë me rroba antiplumb, ndërsa një i tretë e godet me spraj kimik në fytyrë. Në një deklaratë të shkurtër, Departamenti i Shtetit nuk ofroi asnjë tregues se besonte se kishte ndonjë lidhje mes bastisjes së policisë dhe lobimit nga qeveria e Iranit. Agjencia deklaroi se qeveria e Shqipërisë kishte shpjeguar se bastisja ishte rezultat i një urdhri gjykate dhe dukej se pranonte fjalën e qeverisë shqiptare nëse ishin zbatuar të gjitha ligjet dhe nëse ishin respektuar të drejtat e të përfshirëve. Deklarata u kritikua ashpër nga anëtarët e Këshillit Kombëtar të Rezistencës Iraniane.

