Përplasja e policisë në Elbasan mund të cilësohet një incident para një tragjedie të vërtetë që mund të ndodhte në orët e para të 13 shtatorit në Tiranë.
Disa agjentë të krimeve të komisariatit nr 6 mund të ishin vrarë në detyrë nga një sulm i drejtpërdrejt me armë ndaj tyre.
Burime të Sosnews.al bëjnë me dije se ngjarja është shënuar në orën 03:05 të mëngjesit të 13 shtatorit në zonën e njohur si “Unaza e re ” apo “Astiri ”.
Agjentët e krimeve ishin në ndjekje të një automjeti të dyshuar të vjedhur i cili po lëvizte në disa rrugë dytësore. Gjatë ndjekjes të mjetit në distancë agjentët janë përballur me 3 persona të maskuar të cilët me vegla në duar po tentonin të vidhnin një automjet të parkuar, tip bmw x5.
Të gjendur në këto kushte agjentët janë detyruar të heqin dorë nga automjeti i parë që po ndiqnin në lëvizje duke u pozicionuar dhe duke bërë thirrje “ ndal policia ” ndaj personave të maskuar.
Sipas burimeve pas një momenti “suspanse” një nga personat e maskuar ka nxjerrë papritur një armë të gjatë e dyshuar shotgun duke qëlluar disa herë në drejtim të agjentëve.
Këta të fundit janë detyruar tw kundërpërgjigjen në të njëjtën mënyrë duke hapur zjarr në drejtim të hajdutëve që u larguan me vrap në disa rrugica duke përfituar edhe nga errësira.
Ngjarja e rëndë, është tentuar të mbahet larg syve të publikut.
Sipas burimeve të sosnews.al ndonëse strukturat e komisariatit nr.6 kanë formuluar një informacion të detajuar mbi ngjarjen , drejtues të policisë së Tiranës dhe të drejtorisë së përgjithshme nuk e kanë pasqyruar në komunikatën ditore.
Por çfarë gjeti policia në vendngjarje ?
Pranë bmw-së x5 që po tentohej të grabitej u gjet një tjetër bmw e vjedhur që është përdorur nga autorët.
Bmw rezulton e vjedhur në territorin e komisariatit nr.3 ndërsa në brendësi të saj policia gjeti një sër veglash pune profesionale , posaçërisht për vjedhje makinash.
Bëhet fjalë për çentralina, dadiçek, krik, çelsa të ndryshëm që vërtetojnë se kemi të bëjmë me një grup “ ekspertësh” të vjedhjeve.
Burimet thonë se në automjet janë gjetur edhe gjurmë gishtash ndërsa ngjarja është filmuar edhe nga një kamera sigurie e një biznesi ku duket qartë goditja e drejtpërdrejtë me armë ndaj policisë.
Por ndonëse kanë kaluar më shumë se 3 javë nga ngjarja e rëndë asnjë person nuk është arrestuar apo ndaluar si i dyshuar.

