Sajmir Hysenbelliu, i arrestuar në Republikën Domenikane, u ekstradua drejt Shqipërisë pasi akuzohet për një sërë veprash penale, sidomos si pjesë e një grupi që trafikonte njerëz drejt SHBA-ve, Anglisë apo Kanadasë. Sipas mediave të huaja, Hysenbelliu ishte në kërkim në Shqipëri pas goditjes së një grupi trafikantësh që dërgonin njerëz ilegalisht kundrejt përfitimeve.
Nga 30 mijë dollarë për një dërgim në SHBA dhe në 10 mijë paund për në Britani e 5-10 mijë euro për vendet e Bashkimit Europian ishin pagesat që merrnin anëtarët e grupit kriminal që kishte të përfshirë shtetas shqiptarë, maqedonas, bullgarë, grek e italianë.
Ky grup kriminal ishte i ndërtuar në 7 klasifikime duke nisur nga, ata që gjenin personat e interesuar, garantët e mbajtjes së parave nga paguesi tek ai që merrte përsipër trafikimin, rezervuesit e biletave dhe akomodimeve, falsifikatorët e pasaportave e vizave, transportuesit e mjeteve të falsifikuara, personat e shoqërimit në transport, ata të pritjes dhe akomodimit e më pas tek ‘Shefi”.

