Dy persona që transportinin 15 emigrantë të paligjshëm në aksin Gjirokastër – Tepelenë janë arrestuar nga policia gjatë një aksioni të koduar “Road Guard 63”. Në pranga kanë rënë R.R. 49 vjeç dhe F.M. 39 vjeç të dy nga Durrësi. Ata janë kapur në flagrancë me 2 automjete duke transportuar emigrantët në drejtim të Tiranës kundrejt pagesës.
NJOFTIMI I POLICISË:
DVP Gjirokastër/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt pagesës, për kalim të paligjshëm të kufirit. Finalizohet operacioni policor i koduar “Road Guard 63”. U kapën në flagrancë duke transportuar kundrejt pagesës, 15 emigrantë që do të kalonin ilegalisht kufirin, vihen në pranga 2 shtetas. Sekuestrohen 2 automjetet me të cilat transportoheshin emigrantët dhe 2 celularë. Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në vijim të punës së pandërprerë, në terren, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, mbështetur dhe në inteligjencën informative, ka finalizuar operacionin policor të koduar “Road Guard 63”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve R. R., 49 vjeç dhe F. M., 39 vjeç, banues në Durrës. Në aksin nacional Gjirokastër-Tepelenë, shtetasit R. R. dhe F. M. janë kapur në flagrancë duke transportuar kundrejt pagesës, me 2 automjete, në drejtim të Tiranës, 15 emigrantë nga vendet MENA që kishin synim kalimin e paligjshëm në vendet fqinje. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjetet dhe 2 celularë.

