Tre vëllezërit, Fatmir, Besnik Mjeshtri dhe Fiqiri Mjeshtri në bashkëpunim ekzekutuan me armë zjarri baba e bir, Ilir Shira dhe Kenado Shira. Nga të shtënat mbetën të plagosur edhe 39-vjeçari Englatin Hasula dhe i biri i tij i mitur, Renato Hasula 14-vjeç, të cilët janë dërguar në Tiranë.
17-vjeçari Kenado Shira mbeti i vdekur në vendngjarje, ndërsa i ati Ilir Shira, 46-vjeç u transportua në spital por nuk u mbijetoi plagëve të marra.

Një prej autorëve Fiqiri Mjeshtri ka vrarë veten, ndërsa dy vëllezërit e tij të akuzuar si bashkëpunëtorë u arrestuan.
“Gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur të pajetë, dyshohet të vetëvrarë, autorin kryesor të kësaj ngjarjeje, shtetasin F. M., 39 vjeç”, informoi policia.
Raportohet se krimi ka ndodhur për motive të dobëta.
Njoftimi i policisë
Në qytetin e Klosit, dyshohet se shtetasi F. M., 39 vjeç, në bashkëpunim me dy vëllezërit e tij, ka vrarë me armë zjarri, për motive të dobëta, shtetasin K. Sh., 17 vjeç, si dhe kanë plagosur shtetasit I. Sh., 46 vjeç (babai i 17-vjeçarit), R. H., 14 vjeç dhe E. H., 39 vjeç (babë e bir).
Të tre të plagosurit janë transportuar në spital, për ndihmë mjekësore. Si pasojë e plagëve të marra, shtetasi I. Sh. ka humbur jetën në spital.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit kanë rrethuar zonën, kanë bllokuar hyrje-daljet e qytetit të Klosit dhe kanë ushtruar kontrolle në banesa, lokale dhe në ambiente të tjera.
Gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kapën dhe shoqëruan në ambientet e Policisë, shtetasin F. M., 44 vjeç dhe vëllanë e tij, shtetasin B. M., bashkëpunëtorë në këtë ngjarje.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të zonës, shërbimet e Policisë kanë gjetur të pajetë, dyshohet të vetëvrarë, autorin kryesor të kësaj ngjarjeje, shtetasin F. M., 39 vjeç.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, vijon punën për sqarimin dhe zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.