Gjykata e Krujës ka lënë në burg dy vëllezërit e dyshuar si vrasësit e 34-vjeçarit Indrit Ndoji, i cili u gjet pa shenja jetë në një kanal në Fushë-Krujë.
Ndaj Sajmir dhe Landi Mirit u vendos masa e sigurisë “Arrest me burg” me afat 60 ditë.

Ata akuzohen se vranë fqinjin e tyre Indrit Ndoj në Fushë-Krujë më 21 tetor në lagjen Bakshie Visha.
Sajmir dhe Landi Miri kanë deklaruar para hetuesve se nuk kishin për qëllim ta vrisnin, por sipas tyre, situata i doli nga duart pasi viktima i sulmoi dhe ofendoi rëndë.
“Nuk kishim për qëllim ta vrisnim. Po situata na doli nga kontrolli pasi na sulmoi dhe na ofendoi rëndë. Ai ishte në gjendje të rëndë, pasi kishte konsumuar lëndë narkotike. U takuam te vendi për të sqaruar një muhabet të vjetër. Nuk është se kishim ndonjë konflikt të hapur me të, gjithçka ndodhi aty për aty pasi na sulmoi. Nuk ishte i vetëdijshëm. Ai tentoi të na qëllonte dhe për tu mbrojtur e qëllova. Më pas u larguam. E lamë të gjallë. Dhe s’menduam se kishim bërë ndonjë plagosje të rëndë. Por për fat të keq kaçavida kishte prekur damarin kryesor (arterien femorale). Vetëm kur dëgjuam në mëngjes që kishte vdekur. Aty na kapi paniku. Nuk dinim ca të bënim. Jemi penduar shumë, pasi nuk ishte nevoja që situata të arrinte në këtë pikë pa kthim pas. Jemi shumë të penduar”, kanë deklaruar vëllezërit.

