Ish-deputeti i Parlamentit Aqif Rakipi i zgjedhur në legjislaturën e fundit si deputet i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet përplasi për vdekje 54 vjeçarin Seit Sorra në autostradën Tiranë- Durrës pranë mbikalimit të kthesës së kamzës me datwn 12 Gusht 2017..
Pasi e përplasi ish deputeti Rakipi u larguar menjëhëre nga vendgjarja siç deklaroi zyrtarisht policia dhe siç pohoi dhe ai vetë në disa intervista mediatike të dhëna dy ditë pas aksidentit por ndaj tij u pushua çështja penale pasi sipas prokurorisë nuk kishte asnjë përgjegjësi as për shkaktimin e aksidentit as për largimin nga vendi i aksidentit.
Sosnews pas një analize me ekspert ligjor dhe juristë,të vendimeve të Gjykatave për ngjarje të ngjashme, kur drejtuesi i mjetit nuk ka përgjegjësi për aksidentin e shkaktuar me vdekje, të plagosur rëndë ose lehtë (Neni 290 K. P ) por ka përgjegjësi për largimin nga vendi i aksidentit (neni 273 K.P) ka ndërtuar një variant alternativ se si do ishte sjellë Prokuroria dhe Gjykata nëse deputeti Aqif Rakipi do të ishte një qytetar i thjeshtë dhe jo një person me imunitet.
-Vendim Alternativ i Gjykatës së Tiranës për të pandehurin Aqif Rakipi
Fillimisht bazuar mbi: Proçesverbalin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, Akt ekspertimit mjeko-ligjor, Deklarimeve të dhëna gjatë fazës së hetimeve paraprake të shtetasve, Proçesverbalit të sekuestrimit të provës materiale, Proçesverbal i këqyrjes së personit si dhe në tërësi fashikulli penal, Prokuroria do ti kalonte çështjen Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Prokurori i çështjes në diskutimet përfundimtare do të kërkonte:
• Deklarimin fajtor për të pandehurin Aqif Rakipi, akuzuar për kryerjen e veprës penale “Largimit nga vendi i aksidentit” dhe në bazë të nenit 273 të Kodit Penal, dënimin e tij me 2 muaj burgim.
• Në dhënien e masës së dënimit Gjykata të ketë parasysh aplikimin e nenit 406 pika 1 të K.Pr.Penal, mbi gjykim e shkurtuar për të “pandehurin” Aqif Rakipi, duke i ulur 1/3 e masës së dënimit, duke e dënuar përfundimisht me 40 ditë burgim.
• Detyrimin e të pandehurit Aqif Rakipi për të paguar shpenzimet proceduriale gjatë hetimeve paraprake në vlerën x dhe ato gjatë shqyrtimit gjyqësor që do të caktohen nga ana e Gjykatës.
Avokati i të pandehurit dhe vet i pandehuri perfundimisht do të kërkonin:
• Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit.
Nga ana tjetër Gjykata
VËREN SE:
Prokuroria Pranë Gjykatës se Rrethit Gjyqesor Tirane,ka paraqitur për gjykim çështjen penale ndaj të pandehurit Aqif Rakipi i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Largim nga vendi i aksidentit”, parashikuar nga neni 273 i Kodit Penal.
Nga ana e palëve në proces nuk pati pretendime lidhur me kompetencën apo juridiksionin e Gjykatës si edhe vetë Gjykata nuk konstatoi kryesisht shkaqe papajtueshmërie për gjykimin e kësaj çështjeje. Për shkak të masës së dënimit të parashikuar posaçërisht nga dispozita e ligjit material penal, neni 273 të Kodit Penal, për të cilën akuzohet i pandehuri Aqif Rakipi në kuptim të nenit 13 të K.Pr.Penale, gjykimi i kësaj çështjeje u zhvillua nga gjyqtar i vetëm.
Gjithashtu Gjykata do të çmonte të arsyeshme të përmendte faktin se: i pandehuri Aqif Rakipi dhe avokati, në kërkesat paraprake i kërkuan Gjykatës aplikimin e Gjykimit të Shkurtuar konform Nenit 403 te Kodit Procedures Penale, duke i pranuar aktet e prokurorit ashtu siç janë paraqitur dhe duke mospranuar fajësinë, kërkese për të cilën u shpreh dakort edhe Prokurori i çështjes dhe që me vendim të ndërmjetem do pranohej nga Gjykata në konformitet me Nenin 404 të Kodit të Procedures Penale, pasi çështja mund të zgjidhej në gjëndjen që janë aktet.
Gjatë shqyrtimit gjyqësor të kësaj çështjeje penale, rezultuan të provuara faktet e rrethanat që vijojnë :
Se me datë 12.08.17 rreth orës 04:51 minuta i pandehuri Aqif Rakipi që drejtonte mjetin tip “Benz” me targë AA002 CY ka aksidentuar shtetasin Seit Sorra lindur në Tiranë me datë 01.06.1963, në rrugën interurbane kryesore Durrës -Tiranë pranë mbikalimit të kthesës së kamzës, i cili ka tentuar të kapërcej karrexhadën nga njëra anë e rrugës në tjetrën. I pandehuri Rakipi e ka përplasur atë me parakolpin e anës së majtë të mjetit dhe si pasojë e goditjes këmbësori është goditur dhe në xhamin e parë të mjetit dhe për pasojë ka gjetur vdekjen. I pandehuri është larguar nga vendi i ngjarjes dhe më pas është paraqitur në Komisariatin e Policisë Nr.2 Tiranë.
I pyetur si person ndaj të cilit zhvilloheshin hetimet, i pandehuri Aqif Rakipi ka deklaruar se: sa për largimin, unë kam ndaluar në vendngjarje. Kam parë njerëz që u grumbulluan. Në ato momente tronditje duke parë edhe reagimet që vinin vendosa dorëzimin në polici dhe brenda 5 minutash kam shkuar në komisariat. Për këtë policia ka marrë edhe deklarimet e dëshmitarëve në vendin e ngjarjes.
Si pasojë e ngjarjes sa më sipër organi i prokurorisë pasi ka filluar çështjen penale, ka konkluduar në mungesën e elementëve të figurës së veprës penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” (neni 290 i Kodit Penal ) nga ana e shtetasit Aqif Rakipi por nga provat e administruara gjatë fazës së hetimit e ka akuzuar të “pandehurin” për kryerjen e vepres penale tw “Largimit nga vendi i aksidentit” parashikuar nga Neni 273 i Kodit Penal.
Në rastin konkret, rezulton se drejtuesi i automjetit me targë AA002 CY i pandehuri Aqif Rakipi, pas ndodhjes së aksidentit, është larguar së bashku me automjetin nga vendngjarja. Përsa më sipër, shtetasi Aqif Rakipi ka konsumuar elementët e veprës penale të “Largim nga vendi i aksidentit”, parashikuar nga neni 273 i Kodit Penal.
Në nenin 187 të Kodit Rrugor theksohet se:
“Përdoruesi i rrugës, në rast aksidenti, që në njëfarë mënyre lidhet me sjelljen e tij, është i detyruar të ndalojë dhe t’u japë ndihmën e nevojshme njerëzve të dëmtuar. Përdoruesi i rrugës është i detyruar të njoftojë shërbimet e emergjencës mjekësore dhe të Policisë Rrugore. Njerëzit e përfshirë në një aksident duhet të zbatojnë të gjitha masat e përshtatshme për të ruajtur sigurinë e qarkullimit dhe të veprojnë duke ruajtur gjendjen e vendit të aksidentit, si dhe gjurmët e tij të nevojshme për përcaktimin e përgjegjësisë, por gjithmonë duke garantuar sigurinë e qarkullimit”.
Pra, sipas përcaktimeve të parashikuara në Kodin Rrugor, drejtuesi i automjetit me targë AA002 CY, i pandehuri Aqif Rakipi pas ndodhjes së aksidentit, duhet të kishte qëndruar në vendngjarje, me qëllim njoftimin në organet kompetente të ngjarjes së ndodhur.
Neni 273
Largimi nga vendi i aksidentit
“Largimi nga vendi i aksidentit, i drejtuesit të automjetit apo tëçdo mjeti të motorizuar, për t’u shmangur nga përgjegjësia penale,civile apo administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet megjobë ose me burgim gjer në një vit.”
Gjykata, pasi do shqyrtonte objektivisht, të gjitha faktet, rrethanat dhe provat e administruara në seancë gjyqësore, do arrinte në arsyetimin se jemi përpara konsumimit të veprës penale të “Largimit nga vendi i aksidentit”, të parashikuar nga neni 273 i Kodit Penal, autor i së cilës provohet të jetë i pandehuri Aqif Rakipi.
Akuza në ngarkim të pandehurit Aqif Rakipi do tw ishte provuar si gjatë hetimeve paraprake, ashtu edhe në seancë gjyqësore me proces-verbalin e kqyrjes së vendit të ngjarjes, proces-verbalit të sekuestrimit të sendeve, akti ekspertimit mjeko-ligjor tëviktimës, akti i ekspertimit autoteknik të cilat si u morën për shqyrtim u administruan në dosje dhe që në referim të vendimit unifikues të Gjykatës së Lartë, nr. 02, datë 29.01.2003, duke zbatuar gjykimin e shkurtuar, dosja e prokurorit kthehet në dosje gjyqesore.
Në analizë të elementëve të figurës së kësaj vepre penale gjykata arriti në konkluzionin :
Objekt i veprës penale: Veprimet e të pandehurit kanë cënuar marrëdhëniet juridike, të cilat janë vendosur për të siguruar dhe garantuar rendin dhe sigurinë publike të mbrojtura posaçërisht me legjislacionin penal nga veprimet dhe mosveprimet kriminale.
Nga ana objektive: Kjo vepër penale, është konsumuar nga i pandehuri me veprime aktive të kundraligjshme, që janë shfaqur në largimin nga vendi i aksidentit, të drejtuesit të automjetit, duke iu shmangur përgjegjësisë penale .
Subjekti i veprës penale: Gjykata, konstaton se mosha madhore, si dhe përgjegjshmëria e plotë e të pandehurit e bën atë të jetë përpara kritereve ligjore për të mbajtur përgjegjësi penale.
Nga ana subjektive: Vepra penale është kryer me dashje.
Pretendimet e ngritura nga mbrojtja e të pandehurit për pafajësi nuk ishin bindëse për Gjykatën pasi dispozita për të cilën akuzohet i pandehuri jo domosdoshmërisht kërkon për përgjegjësi penale, civile apo administrative por mjafton të ndodhë fakti sipas rrethanave të mësipërme.
Kështu Gjykata krahas rrethanave rënduese që parashikon vepra mban parasysh si rrethana lehtesuese për të “pandehurin” te vleresuara si te tilla nga Gjykata në kuptim të Nenit 49 te Kodit Penal si p.sh. faktin që i pandehuri është i padënuar më parë, etj.
Nisur nga sa më sipër gjykata çmon se lloji i dënimit i kërkuar nga prokurori është mëse i përshtatshëm për këte të pandehur.
PËR KËTO ARSYE:
Mbështetur në nenet 384 e 390 te Kodit Pr. Penale Gjykata
V E N D O S I:
Deklarimin fajtor të pandehurit Aqif Rakipi për kryerjen e veprës penale të “ Largimit nga vendi aksidentit “, parashikuar nga neni 273 te Kodit Penal dhe në bazë të kësaj dispozite e dënon ate me 2 ( dy ) muaj burgim.
Në aplikim te nenit 406/1 te K.Pr.Penale masës së mësipërme i zbritet 1/3 e saj dhe përfundimisht i pandehuri Aqif Rakipi dënohet me 40 (dyzet) ditë burgim.
Shpenzimet proceduriale dhe ato gjyqësore i ngarkohen të pandehurit.
Kundra vendimit lejohet ankim ne Gjykaten e Apelit Tirane brenda 10 diteve nga e nesermja e shpalljes.
Ky do ishte një vendim normal madje me tolerancë nëse në vendin tonë do zbatohej në minimum legjislacioni në fuqi që do mbronte viktimën por dhe të pandehurin. Por në asnjë rast deputeti kushdo qoftë ai padallim , krahu politik në rrethana e publikuar zyrtarisht të ngjarjes nuk do shpëtonte pa një sankion penal dhe pa një sankion administrativ me pezullim të lejes së drejtimit për një periudhë nga 1 deri në 2 vjet bazuar mbi nenin 187/7 të Kodit Rrugor.
Tashmë Aqif Rakipi nuk mban më mandatin e deputetit pasi me datën 5 Janar me 5 vota pro, anëtarët e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ia hoqën pas kërkesës së paraqitur nga prokuroria për mos deklarim të ndalimit në itali. Sipas prokurorisë pas verifikimeve të shenjave të gishtërinjve rezulton nga Interpoli Roma në Itali se ish deputeti i PDIU ka qene arrestuar për vjedhje në vitin 1998./sosnews.al

