Kryeqyteti është tronditur të enjten nga një përplasje me armë të ndodhur gjatë orëve të mbrëmjes, në zonën e “Komunës së Parisit”.
Persona ende të paidentifikuar kanë hapur zjarr në drejtim të një makine, një Benz me targa AA777RT.
Në automjet ndodheshin dy persona, njëri prej të cilëve mbeti i plagosur. Sipas policisë, ai është 24 – vjeçari Lorenc Hoxha.
Fillimisht Hoxha ka mundur t’i shpëtojë plumbave, por në tentativë për t’u larguar duke braktisur automjetin, ai është plagosur në shpatull.
Gjatë arratisë me makinë, 24 – vjeçari ka goditur edhe disa tabela rrugore, duke vënë në rrezik jetën e banorëve që ndodheshin në zonë, sapo kalon kryqëzimin e “Komunës së Parisit”.
Pasi braktisi automjetin, Hoxha arriti të futej në një nga rrugicat e zonës, duke u larguar nga atentatorët.
Ai u gjet i plagosur pak minuta më vonë nga policia dhe u dërgua në spital, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Disa pika kontrolli u ngritën në hyrje – daljet e Tiranës, në përpjekje për kapjen e autorëve./sosnews

