Konteksti shqiptar
Për qëllime studimore,do ta ndajmë periudhën kohore në dy faza. Faza e parë (1990 -2003) është ajo e formimit të bandave lokale dhe konsolidimit të tyre, që i përket kryesisht dhjetëvjeçarit të parë të tranzicionit. Faza e dytë (2003 – 2014) lidhet me forcimin deri diku të shtetit të së drejtës, faktor që solli ridimensionimin e krimit të organizuar, por edhe të veçorive të vrasjeve me pagesë.
1990 – 2003
Vrasësit me pagesë të kësaj periudhe mund të kategorizohen si 1) Vrasës fillestarë, ata të cilët kryenin një ose dy vrasje dhe këtë e bënin për të fituar status në bandë. 2) Vrasës amatorë, të cilët nuk kishin profil të lartë kriminal. 3) Vrasës të cilët kryenin vrasje vetëm në emër të një bande dhe, për arsye studimore në këtë punim, kjo kategori vrasësish do të quhet “vrasës ekskluzivë”. 4) Vrasës të cilët ishin anëtarë të një bande, por që kryenin vrasje jo vetëm për bandën e tyre, por edhe për të tretët. Megjithëse ende nuk ka një kronologji apo statistikë që lidhet me historinë e vrasjeve me pagesë për këtë periudhë, mendohet që ato kanë filluar të bëhen të njohura rreth vitit 1997. Një vrasje tipike që mbetet ende sot pa autor është vrasja e Ylli Myftarit më 30 dhjetor 1997. Ky i fundit, një kambist në Tiranë, përfshihet në serinë e kambistëve të grabitur dhe të vrarë në vijimësi, deri në vitin 2009.
Mendohet që kjo të jetë vrasja e parë e identifikuar nga policia si vrasje me pagesë. Sidoqoftë, të intervistuarit sugjerojnë se vrasjet me pagesë datojnë rreth vitit 1992, ku grupet rivale, fillimisht për çështje territori dhe të rëndomta, çelën serinë e konflikteve që përfunduan në vrasje.

Fillimisht kjo vihet re në qytetet e mëdha, sidomos në qytetin e Tiranës, ku pas një seri konfliktesh për motive të dobëta midis bandave kriminale “të fortëve të lagjes”, këto konflikte përfunduan në vrasje. Për shembull, në Tiranë kemi përplasjet midis djemve të “Rrugës Bardhyl” me bandën e djemve të “Trenit të Vjetër”, “Banda e Selitës” me “Bandën e Yzberishtit”, apo në Vlorë “Banda e Gaxhait” me “Bandën e Zanit” etj.
Në këtë moment mund të thuhet që shfaqen elementet e para të përdorimit të një të treti për të kryer një vrasje, që nuk mund të konsiderohet vrasje tipike me pagesë. Karakteristikat e “vrasësit me pagesë” të asaj periudhe përkonin me një individ, i cili ishte anëtar i një bande ose ishte një individ me histori të theksuar kriminale.
Ky individ, që kishte kryer ndonjë vrasje për bandën e tij apo dhe për hakmarrje personale, mund të “huazohej” për të kryer një vrasje në emër të një bande tjetër. Përgjithësisht, në atë periudhë “kontrata” midis porositësit dhe vrasësit mund t’i ngjante më shumë një shkëmbimi favoresh apo nderi. Ky favor shërbente për forcimin e lidhjeve midis krerëve të bandave apo vetë anëtarëve të bandave. Vrasësit e kësaj periudhe mund të karakterizohen si individë me precedentë penalë, të njohur si të dhunshëm, anëtarë të një bande të caktuar.

Në këtë periudhë, vrasësit me “pagesë” mund të përfshihen në kategorinë e vrasësve amatorë. Pra, nuk e kishin profesion vrasjen me pagesë, por e kryenin thjesht në shenjë favori. Në përgjithësi, vrasjet e asaj periudhe kryheshin me armë të përdorura nga ushtria dhe policia shqiptare, si pistoleta TT dhe Kallashnikov model 47, Zastava model 70, por dhe armë automatike tip skorpion.
Megjithëse nuk ka të dhëna zyrtare, Naim Zyberi, një ndër eksponentët e “Bandës së Trenit të Vjetër”, sipas këtyre karakteristikave, mund të ketë kryer disa vrasje për llogari të të tretëve në vitet 1991-1997.326 Rreth vitit 1997 nisin të shfaqen edhe shenjat e para të vrasjeve të organizuara apo të mirëmenduara, duke ngritur siparin e vrasjeve me nuanca profesionale. Një ndër këto vrasje, do të ishte ajo e Naim Zyberit në Milano të Italisë, në gusht të vitit 1997.327 Në këto tip vrasjesh spikatin elementet e organizimit, gjakftohtësisë, vendosmërisë për të kryer vrasjen dhe qëllimi për të arritur rezultatin.
Në rastin e vrasjes së Zyberit, fillimisht ai u plagos dhe me pas u vra në spital nga individë që arritën të futen në spital të maskuar si vizitorë dhe të kryejnë një vrasje tipike mafioze. Kjo vrasje bëri bujë në mediat italiane, për vetë formën sesi u krye. Megjithatë, faktori që prodhoi burimin kryesor, që rriti kërkesën dhe krijoi tregun e vrasjeve me pagesë ose me porosi nxjerr krye pas vitit 1997, në çastin kur rivaliteti midis bandave nisi të rritet ndjeshëm.328 Ndër konfliktet më tipike mund të merren si shembull përplasjet midis bandave. Këto, pasi shtinin në dorë shuma të caktuara parash, përçaheshin për pazare brenda grupit. Ndër bandat më tipike ku mendohet të jenë përdorur edhe vrasës me pagesë, për asgjësime brenda llojit, janë ato të bandës së “Durrësit” dhe “Djemtë e Rrugës së Kavajës”.

Kjo e fundit, pas përçarjes, filloi serinë e vrasjeve në vitin 1999, dhe në harkun kohor të tre vjetëve numri i të vrarëve shkoi në 20. Dukuria e përçarjes brenda bandave kishte filluar më herët edhe në rrethe. Për shembull, nga banda e Altin Dardhës doli dhe banda e Otllakut, që synoi më pas të zhdukte edhe vetë Altin Dardhën.
Në zhargonin popullor për këtë kategori vrasësish përdoret termi “killer”, i huazuar nga anglishtja. Termi “killer”, megjithëse përkthehet “vrasës”, përdoret për të treguar se “vrasësi” është një individ agresiv, brutal dhe gjakftohtë.330 Në përgjithësi, këta individë kishin rolin e vrasësit në kuadër të bandës. Në përgjithësi, ata që rekrutoheshin nga bandat për të kryer vrasjet ishin individë me nivel shumë të ulët arsimor, vinin nga familje të varfra, dhe nuk spikatnin në rrethin e tyre shoqëror. Koha midis rekrutimit dhe kryerjes së aktit kriminal ishte e shkurtër. P.sh, në rastin e Dritan Vilës, (vrasës me pagesë për llogari të “Bandës së Lushnjës”) ky i fundit u kontraktua nga Enver Dondollaku, një prej krerëve të “Bandës së Lushnjës” dhe vetëm një muaj pasi ishin njohur bashkë, Dondollaku i dha Vilës porosinë e parë.

Shkaku kryesor i kryerjes së vrasjeve ishte anëtarësimi në bandë dhe krijimi i njëfarë statusi social brenda organizatës kriminale, por dhe më gjerë në rrethin shoqëror. Dhe gradualisht pas disa vrasjeve, vrasësit me pagesë nisën ta konsolidojnë profilin e tyre në rrethet kriminale. Fillimisht, kjo kategori vrasësish paguhej me shuma të papërfillshme, duke filluar nga 20.000 lekë të reja dhe deri te pagesa me klering (p.sh një fuoristradë).
Sidoqoftë, forma e pagesës nuk duhet marrë si standard për të përcaktuar profesionalizmin e procesit të kryerjes së vrasjes me pagesë. E gjithë procedura e vrasjes ndërtohej në mënyrë të tillë që kontraktuesi të mos kishte njohje me vrasësin, dhe ky i fundit njoftohej për shënjestrën në një kohë relativisht të shkurtër. Merreshin masa që kontraktuesit mundësisht të mos kishin kontakte fizike me vrasësin. Duhet theksuar se vrasësi, megjithëse konsiderohej si pjesë e bandës, nuk merrte pjesë në veprimtaritë e saj kriminale, por vetëm atëherë kur bandës i duhej të asgjësonte dikë. Skema e vrasjeve funksiononte sipas këtij skenari. Porositësi i tregonte vendin e armës vrasësit, kurse informacionet për shënjestrën i jepeshin vetëm para disa ditësh ose orësh.
Përshkrimi i shënjestrës bëhej fare thjesht, pa i dhënë gjeneralitete (p.sh emrin, pozitën, statusin familjar) të hollësishme vrasësit. Disa përshkrime shënjestrash ishin ‘do të godasësh atë personin që po i jep asaj makinës apo atë që po mban biçikletën në dorë’. Në një rast, porositësi (Dondollaku) e ka instruktuar vrasësin (Vilën) me celular, deri në çastin e vrasjes.

Pagesa bëhej pas kryerjes së krimit, dhe vrasësi e merrte shumën në një vend të caktuar ku duhet të linte dhe armën e krimit.
Pagesat për vrasjen nuk ishin shumë të larta dhe vareshin nga profili i shënjestrës, p.sh Vila është paguar nga 20.000 lekë deri në 700.000 dhrahmi (rreth 2000 euro).
Vrasësi ndihmohej edhe nga anëtarë të tjerë të organizatës kriminale. Detyrat e tyre ishin të përcaktuara, dikush kryente vëzhgimin e viktimës dhe njoftonte vrasësin në kohën e caktuar (zakonisht ky person ishte ai që caktohej të rekrutonte vrasësin, dhe që mbante lidhje më të ngushta me të), dikush e priste vrasësin me makinë për ta larguar më pas nga vendi i ngjarjes, dikush e mbështeste vrasësin gjatë vrasjes.
Një skemë tipike ishte kur disa anëtarë të bandës caktoheshin të qëllonin mbi shënjestrën, por vrasësi më pagesë kishte rolin kryesor, për t’u siguruar që shënjestra ishte ekzekutuar. Rasti i Vilës përfshihet në atë kategori vrasësish me pagesë që funksiononte si pjesë e një grupi të organizuar ose ishte në funksion të tij. Për qëllime studimore, do ta cilësojmë këtë kategori vrasësish, si vrasës “ekskluzivë”.
Karakteristikat e kësaj kategorie vrasësish janë si vijon. Ata kryejnë vrasje me porosi vetëm për llogari të grupit kriminal dhe nuk veprojnë të pavarur. Nuk shquhen për veprime të stërholluara në zhdukjen e gjurmëve dhe nuk kujdesen shumë për t’iu fshehur forcave të rendit apo dhe publikut të gjerë. Vrasësi nuk merr pjesë në veprimtaritë e tjera të grupit kriminal. Profili i vrasësit futet në kategorinë e vrasësve me përvojë pasi këta vrasës kryejnë një seri vrasjesh (p.sh rasti i Vilës).
Megjithatë, në periudhën 1999-2000 nisin të shfaqen elementet e para të vrasësve të pavarur. Kjo është dhe kategoria e vrasësve të cilët, për shkak të pavarësisë së tyre, arritën më pas të rezistonin dhe të sofistikoheshin. Sidoqoftë, vrasja me pagesë nuk ishte “profesioni” i tyre i vetëm. Në dallim nga vrasësit “ekskluzivë”, kjo tipologji vrasësish zakonisht nuk banonte në të njëjtën zonë ku banonin porositësi dhe shënjestra.
Një tipologji e tillë është ajo e Arsim Litës, i cili mendohet të jetë kontraktuar nga njëri prej fraksioneve të “Bandës së Rrugës së Kavajës” për të vrarë Ilir Borovën por që në fakt arriti të asgjësojë Ilirjan Zhupanin, duke e lënë Borovën të plagosur rëndë. Lita e ka kryer vrasjen i ndihmuar nga një person tjetër.

Rasti i vrasësve të përmasave të Litës mund të përfshihet tek kategoritë e vrasësve amatorë, pasi vrasjet ishin e vetmja veprimtari kriminale e tyre. Megjithatë, që në këtë periudhë, shfaqen edhe vrasës që mund të përfshihen në kategorinë e vrasësve me përvojë.
Përveç aftësive fizike dhe psikologjike, këta lloj vrasësish kishin dhe nivel arsimor më të lartë. Një rast tipik është vrasja e dy punonjësve të policisë në Fushë-Krujë, në vitin 1999. Vrasësi me pagesë, Dritan Rexhepi, nga Vlora, porositet nga Shefqet Severi për llogari të personit të konfliktuar me dy policët e vrarë. Rexhepi do të arrestohet në vitin 2006, ndërkohë që ishte student i Fakultetit Juridik në Tiranë.334 Rexhepi akuzohet për disa vrasje me pagesë.
Ai ishte shumë i aftë për t’i shpëtuar organeve të rendit dhe ishte arratisur disa herë nga institucionet e sigurisë së lartë, si në Shqipëri dhe në Pavia të Italisë. Nga ana tjetër, në rastin Rexhepi, vrasjet me pagesë nuk ishin e vetmja veprimtari kriminale i tij, kriter thelbësor ky që dallon një vrasës profesionist nga ai me përvojë. Për shembull, Rexhepaj akuzohej për trafik droge në Belgjikë dhe Holandë, si dhe grabitje bankash në Spanjë.
Në të tre kategoritë e mësipërme (“Ekskluziv”, “Amator” dhe “Me Përvojë”) është për t’u theksuar se vrasësit me pagesë të kësaj periudhe ishin individë të ardhur nga zonat rurale apo që shpërnguleshin nga një krahinë në tjetrën. Pikërisht ky fakt i bënte ata të panjohur dhe jo shumë të ekspozueshëm për publikun apo shënjestrën. Nga ana tjetër, vrasjet ata i kryenin në grup, pra vrasësit qëllonin në grup me mbi dy persona dhe jo individualisht.
Gjatë kësaj periudhe, vrasësit me pagesë sofistikohen. Armët që përdorin janë armë të ekspertuara jashtë dhe të blera në tregun e zi. Disa nga llojet e armëve, përveç kallashnikovit dhe pistoletës së tipit TT, janë pistoletat model 54, “Belgium” dhe “Bereta”; “Zastava” model l 54 e 57; amerikan; automatikë “Uzi” PPS e PMSH, silenciator, pistoleta elektrike. Përveç armëve, vrasësve me pagesë të kësaj periudhe u janë gjetur edhe lëndë eksplozive, fitila detonator, bombola me gaz nervo-paralizues, celularë dhe karta telefoni SIM të ndryshme, maska, targa të ndryshme dhe mjete identifikimi false. Gjatë kësaj periudhe vërehen të gjitha kategoritë e vrasësve me pagesë të përshkruara më sipër. Edhe gjatë kësaj kohe, vrasjet kryhen në grup dhe jo nga një individ i vetëm.
Karakteristikë është përdorimi i makinave me targa të huaja dhe patenta false. Është për t’u theksuar se gjatë kësaj periudhe, qëllimi i vrasjeve është kryesisht për çështje konkurrence në fushën e biznesit.
Vrasësit “me përvojë” përdoren zakonisht nga palët e konfliktuara për prishje pazaresh droge ose gjakmarrje, dhe kanë në shënjestër kundërshtarët e tyre. P.sh, Bledar Jambelli dyshohet të jetë përfshirë si vrasës me pagesë në zinxhirin e vrasjeve midis familjeve Zanaj dhe Rama në Vlorë; gjithashtu dyshohet të ketë vrarë edhe Shpëtim Mukën (person me precedentë të shumë penalë në Vlorë) në vitin 2006.
Siç përshkruam më sipër, zakonisht vrasësi vinte nga një zonë apo qytet tjetër dhe nuk kishte asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me viktimën. Jambelli ishte nga Mbrostari i Fierit dhe kishte kryer një vrasje të dokumentuar në Vlorë, por dyshohet të ketë kryer edhe disa të tjera në këtë qytet, por edhe në Tiranë, ku u vra me një plumb në kokë Edvin Zanaj, në vitin 2007. Për këtë vrasje dyshohet që Jambelli është paguar me 10.000 euro.336 Vrasësit “ekskluzivë” vazhdojnë të veprojnë edhe në këtë periudhë, për sa kohë ka banda rivale apo banda të përçara për prishje pazaresh.
Një rast i tillë është ai i “Bandës së Durrësit”. Ky grup kriminal i organizuar u përça në vitin 2002. Njëri fraksion drejtohej nga Klodian Saliu dhe tjetri nga Lulzim Berisha.337 Adriatik Coli, pjesë e fraksionit të Klodian Saliut, ishte (me arsim 8-vjeçar nga Durrësi, i martuar me dy fëmijë, por i padënuar më parë; akuzohet se ka kryer vrasje prej vitit 1998 deri në vitin 2005). Fraksioni i Klodian Saliut angazhon një të tretë (Altin Ollonin) për të rekrutuar disa vrasës me pagesë për të vrarë Lul Berishën, në dy atentate në vitin 2005.338 Duke u nisur nga profili i vrasësve të rekrutuar nga fraksionet e kësaj bande, ata mund të përfshihen në kategorinë e vrasësve fillestarë. Në atentatin e parë që iu bë Lulzim Berishës, më 05/04/2005, grupi i përbërë prej 6 personash, përfshi edhe dy vrasësit e kontraktuar (Altin Hoxhosmani dhe Altin Neli), nuk arritën ta kryenin vrasjen, pasi makina e tyre u ndalua nga policia rrugore në një kontroll rutinë, duke iu sekuestruar armët. Banda i rekrutonte vrasësit me pagesë jo vetëm për të kryer vrasje, por edhe për t’i përfshirë më pas si anëtarë bande.
Në përgjithësi, banda përdorte një ndërmjetës për të rekrutuar vrasësit me pagesë. Për shembull, banda kishte përdorur disa herë Altin Ollonin, i cili kishte rekrutuar edhe Selman Hetin. Ky i fundit, nga karakteristikat, përfshihet në kategorinë e “Vrasësit Fillestar”. Heti, në bashkëpunim me vrasësin e kontraktuar më parë (Altin Hoxhosmani), nuk arriti ta vriste Lulzim Berishën, por vetëm e plagosi atë, më 05/05/2005. Forma sesi kontaktohen “ndërmjetësit” është gjithashtu e rëndësishme në tipologjinë e vrasësve me pagesë.
Krerët e bandës interesohen për ndërmjetës me të cilët kanë shoqëri ose lidhje gjakut. Këta, duke përdorur njohjet e tyre, më pas krijojnë kontakte me individë të cilët mund të marrin përsipër kryerjen e vrasjes kundrejt pagesës. Më pas, “vrasësi” vihet në kontakt me një ose disa prej anëtarëve të bandës. Këta e orientojnë dhe mbështesin “vrasësin” në lidhje me shënjestrën. Duhet cilësuar se, në përgjithësi, tipologjia e vrasësit me pagesë “fillestar” ka disa karakteristika në formën e rekrutimit.339 Krerë të bandës përdorin fillimisht njerëz të ndërmjetëm, siç ishte Altin Olloni, për të piketuar individë në vështirësi ekonomike dhe janë banorë të një qyteti tjetër. Në rastin e rekrutimit të Hetit p.sh, anëtarët e bandës (Altin Hoxhosmani dhe Altin Neli (kushëri i Hetit) që ishin nga e njëjta zonë, Burreli) e kishin ndihmuar ekonomikisht Hetin për njëfarë periudhe, dhe i kishin marrë një shtëpi me qira në Tiranë. Vrasësi “fillestar” ndihmohet nga persona që kanë lidhje me porositësin. Këta e shoqërojnë atë, i përshkruajnë shënjestrën dhe rrugëdaljet më të volitshme në zonën ku do të kryhet vrasja apo dhe në zonën ku lëviz më shpesh shënjestra. Një tjetër veçori që përcakton kategorinë e vrasësit “fillestar” është edhe rezultati. Vrasësit “fillestarë” në përgjithësi nuk kanë rezultat dhe nuk janë përsëritës, pra nuk vazhdojnë të kryejnë më vrasje të tjera me pagesë. Heti nuk arriti ta vriste Berishën, pasi i harxhoi tërë fishekët pa rezultat. Shuma e ofruar për vrasjen e Lulzim Berishës ishte 30.000 euro, por meqë Heti e plagosi, u pagua vetëm 25.000 Euro.
Vlerësimi i riskut për vrasjet me pagesë
• Në periudhën 1998 – 2014 numërohen rreth pesë kategori vrasësish me pagesë: 1) Vrasës fillestarë, 2) Vrasës diletantë, 3) Vrasës ekskluzivë, 4) Vrasës me përvojë dhe 5) Vrasës profesionistë.
• Pas vitit 2011 vihet re një sofistikim i vrasësve me pagesë.
• Kategoria më problematike janë “vrasësit profesionistë”. Vërehet se kjo kategori vrasësish po merr gradualisht trajta organizative në formën e një rrjeti kriminal, ku struktura e “ndërmjetësve” duket se është struktura më e organizuar.
• Ka një rritje apo bashkëpunim midis bizneseve dhe vrasësve me pagesë, të cilët përdoren për çështje sigurie nga bizneset apo për të asgjësuar konkurrentët e tyre.
• Kategoria e “vrasësve profesioniste” përdor shumë mirë armët, dhe kryen vrasje nëpërmjet armëve dhe eksplozivit. Kjo e fundit është më e pëlqyer, pasi lehtëson zhdukjen e gjurmëve.
• “Vrasësit profesioniste” kanë informacione rreth teknikave kundërzbuluese të përdorura nga grupet terroriste.
• Në kategorinë e “vrasësve profesionistë” përfshihen dy grupe “vrasësish profesionistë”: “lëvizës” (ata që janë rezidentë në një nga shtetet e BE-së dhe “rezidentë”, ata që janë kthyer në Shqipëri. Të parët janë më të vështirë për t’u zbuluar nga autoritetet shqiptare, prandaj duhet një koordinim i mirë me institucionet partnere.
• Kategoria e “vrasësve profesionistë” në përgjithësi importohet nga jashtë vendit dhe është trajnuar nga formacionet kriminale që veprojnë në BE. Kjo kategori vrasësish ka përvetësuar teknika krimi shumë të përparuara.
• Vihet re që strukturat kriminale po rekrutojnë adoleshentë, duke i përgatitur për të kryer vrasje, dhe kjo duket të jetë një qasje e re.
• Të rinjtë e rekrutuar vijnë nga familje me një histori kriminale ose nga të rinj që vuajnë dënime për vepra si vjedhje apo grabitje dhe krijojnë lidhje me eksponentë të njohur të krimit në burgje, të cilët i përdorin më pas për kërcënime.
Karakteristikat e një vrasësi me pagesë
Një ndër karakteristikat thelbësore të kategorisë së vrasësve me pagesë “profesionistë” është se ata e konsiderojnë vrasjen profesion. Gjatë arrestimit, Julian Sinanaj u shprehet policëve se “më latë pa punë”. Karakteristikë tjetër e kësaj kategorie lidhet me faktin që vrasësi profesionist është gjithmonë në lëvizje. Kështu Sinanaj, pas çdo vrasjeje, largohej jashtë shtetit për të humbur gjurmët. Për të bërë sa më të vështirë zbulimin e tij, Sinanaj zhdukte armën pas kryerjes së çdo vrasjeje. Ai merrte gjithmonë disa shtëpi me qira në qytetin apo pranë vendit ku do të kryente krimin. Sinanaj kishte tri shtëpi me qira në Tiranë, në njërën banonte, në tjetrën mbante armët dhe një tjetër e kishte marrë me qira afër bankave që kishte planifikuar t’i grabiste.
Sinanaj linte pak gjurmë edhe në transaksionet financiare, pasi një pjesë të parave ia çonte familjes, një pjesë të mirë e shpenzonte në kesh në kazino, dhe një pjesë tjetër në lëvizjet e tij jashtë vendit. Një tjetër veçori e kësaj kategorie vrasësish është organizimi dhe korrektësia. Sinanaj mbante një ditar të skeduar për llojet e armëve që përdorte, dhe vrasjet e kryera i regjistronte me datën, orën dhe vendin ku e kishte kryer. Disa nga vrasjet, Sinanaj i dokumentonte duke i filmuar.356 Përveç këtyre aspekteve, faktor dallues për këtë kategori është efiçenca e lartë dhe njohja në mënyrë profesionale e përdorimit të armëve, përgatitjes se eksplozivit dhe montimit të tyre.
Sinanaj nuk gabonte asnjëherë, dhe kishte një njohje shumë të mirë të përdorimit të armëve me të dy duart në precizon të lartë. Sinanaj kryente vrasje si nëpërmjet qitjes ashtu dhe nëpërmjet eksplozivit. Një tjetër karakteristikë e kësaj kategorie është gjakftohtësia, individualiteti, mosekspozimi për konflikte të rëndomta dhe pasja e një jete të dyfishtë. Në publik, Sinanaj njihej si njeri i qetë dhe pa probleme. As miqtë e tij më të ngushtë apo dhe e dashura nuk e dinin se Sinanaj ishte një vrasës profesionist.
Sinanaj sigurohej për shënjestrën e tij nëpërmjet kartës së identitetit, fotografisë, adresës së shtëpisë apo lokaleve që frekuentonte shënjestra, si dhe targës së makinës. Sinanaj kryente veprime profesionale duke e vëzhguar shënjestrën dhe lëvizjet e tij, dhe e fotografonte për t’u siguruar rreth identitetit duke e konfirmuar atë me porositësin.359 Sinanaj ka kryer vrasje të ndryshme dhe në qytete të ndryshme. Edhe periudhat kohore nga një vrasje në tjetrën ishin deri diku të menduara mirë. Intervali kohor nga vrasja në vrasje ishte nga 3 muaj deri në një vit. Sinanaj pranonte pagesa në kesh, por dhe në prona të patundshme. Pagesat për vrasje ishin të larta (7500 -120.000 euro), një karakteristikë tjetër për këtë kategori vrasësish.
Bazuar mbi studimin me titull “Vlerësim i Riskut të Krimit të Organizuar në Shqipëri”, të autorëve F. Zhilla dhe B.Lamallari

