Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj ka bërë të ditur se vrasja e 31-vjeçares Etleva Kurti nga Dan Hutra nuk ka të bëjë me lidhje personale mes tyre. Në një konferencë për mediat, Vocaj tha se ka çështje të tjera për këtë ngjarje, por që momentalisht nuk mund të bëhen publike për shkak të hetimit.

I pyetur për mënyrën se si është liruar Hutra dy javë më parë ndërkohë që ka pasur një vendim Apeli që nuk ia lejonte ndryshimin e masës së sigurisë, Vocaj tha se po ndiqet ky rast dhe do të bëhet i ditur në ditët në vijim.

Vocaj: Ky person është arrestuar në qershor të vitit 2022 për dhunë në familje të ushtruar ndaj ish-bashkëshortes dhe ka pak ditë që ka dalë nga burgu. Nga momenti i daljes nga burgu më 16 shkurt, nuk ka marrë informacione nga familjarë për rrezikimin e tyre.

Nga informacionet paraprake, ngjarja e Kamzës lidhet me motivet të tjera, jo të njohjes së autorit me viktimën. Nuk mund t’i bëjmë të ditura në këto momente pasi jemi në hetim.

Pyetje: Në çfarë rrethanash është liruar Dan Hutra pasi gjykata e apelit i refuzoi kërkesën për ndryshimin e masës së sigurisë? Ndërkohë dy ditë më par 40-vjeçari u lirua.

Vocaj: Ne jemi duke analizuar të gjithë këtë proces dhe do dalim me një deklaratë të posaçme për shtyp sëbashku me prokurorinë e Tiranës. Asnjë punonjës policie nuk ndihet i nderuar përpara ngjarjeve të tilla. Ky ka pak ditë që ka dalë nga burgu. Policia s’ka asnjë informacion nga familjarët për veprimtarinë e tij. Ne sot kemi marrë shumë telefonata nga qytetarët. Zëdhënësi i policisë e bëri të ditur të gjithë dinamikën e ngjarjes. Reagimi i qytetarëve ka qenë jashtëzakonisht përkrahës në këtë drejtim.

Çështja nëse ka qenë ose jo informator, i përket një veprimtarie të fshehtë dhe të ligjshme që ka policia e shtetit. Asnjëherë Dan Hurti s’ka qenë informator i policisë. Kemi informacione për përfshirjen e këtij personi dhe personave të tjerë në ngjarjen e Drenovës për arratisjen e 2013-ës. Nëse do ketë hapësira, ne do jua referojmë prokurorisë për të ngritur akuza të tjera për këtë çështje.

blob:https://sosnews.al/55f6aa6f-8d7d-4251-a252-f2d36aff92a3

DEKLARATA PËR MEDIA E DREJTORIT TE POLICISE SE TIRANES, TONIN VOCAJ

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Drejtues i Parë Tonin Vocaj, deklaratë për mediat, në lidhje me ngjarjet e ndodhura sot, në qytetin e Tiranës, si dhe për kapjen dhe vënien në pranga të autorit të tyre.

Jam sonte këtu, për të komunikuar me ju, në lidhje me një ngjarje të rëndë dhe të pazakontë për qytetin e Tiranës dhe gjithë Shqipërinë, të kryer nga shtetasi Dan Hutra, i datëlindjes 1982, lindur në Kukës dhe banues në Tiranë.

Ngjarja e sotme ka dinamikën si më poshtë:

Në orën 12 e 15 minuta, autori Dan Hutra, në rrugën “Teodor Keko”, në afërsi të mbikalimit te “Pallati me shigjeta”, ka plagosur me thikë shtetasen M. G., 40 vjece, banuese në Astir.

Menjëherë pas kësaj ngjarjeje, autori është larguar me automjetin tip “Benz” me targa AA 531 UK, të cilin e kishte marrë me qira dhe rreth orës 12:35 minuta ka shkuar në rrugën “Rustem Haklaj”, në Kodër-Kamzë, te banesa e ish-bashkëjetueses së tij.

Shtetasi Dan Hutra ka plagosur me armë zjarri shtetaset Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe Kujtime Hysa, 60 vjeçe (ish-bashkëjetuesja e tij dhe nëna e saj) dhe ka vrarë me armë zjarri shtetaset Mevlute Hysa 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses). 

Pas kësaj ngjarjeje, autori ka lëvizur në drejtim të rrugës “Abdyl Elmazi”, në rrugën e Arbrit, ka vijuar në rrugën “Besëlidhja”, Bathore dhe rreth orës 12:48 minuta ka ndaluar te banesa e familjes Kurti, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe.

Theksojmë se për ngjarjen e parë të ndodhur në rrugën “Teodor Keko” Policia e Shtetit ka marrë njoftim në orën 13:40 minuta, nga një telefonatë në Sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, pra pas ndodhjes së dy ngjarjeve të tjera.

Me marrjen e njoftimit për ngjarjen e ndodhur në “Kodër Kamëz”, janë organizuar shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë dhe të Drejtorive të tjera vendore, janë ngritur pika kontrolli dhe janë zhvilluar kontrolle të shumta të banesave dhe ambienteve të ndryshme ku mund të fshihej autori, pasi nga veprimet e para në vendngjarje, u bë i mundur identifikimi i tij.

Strukturat e Krimeve të Rënda të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e  Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kanë kryer të gjitha veprimet e domosodoshme hetimore, si këqyrjen e vendngjarjeve, sekuestrimin e provave materiale, pyetjen e të plagosurve dhe të dëshimtarëve okularë, sekuestrimin e pamjeve filmike, si dhe janë duke aplikuar metoda speciale të hetimit. Është kryer ekspertimi balistik i gëzhojave të sekuestruara në të dy vendngjarjet dhe ka rezultuar se 12 gëzhojat e sekuestruara në ngjarjen e ndodhur në “Kodër Kamëz” dhe 6 gëzhojat e sekuestruara në Kamëz, janë të qitura nga e njëjta armë zjarri.

Autori i ngjarjeve, Dan Hutra, është person me precedent të theksuar kriminal, i dënuar në vitin 2003, me 2 vjet burgim, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, i dënuar në vitin 2009, me 16 vjet burgim për vrasje me paramendim, në vitin 2021 është arrestuar për vjedhje banesash nga DVP Durrës dhe po në vitin 2022 është arrestuar po nga DVP Durrës, për tentativë vjedhje banesash.

Gjithashtu, ky shtetas më 16 qershor 2022 është arrestuar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, për dhunë në familje ushtruar ndaj ish-bashkëjetueses Elena Hysa, dhe ka dalë nga burgu më 16 shkurt 2023.

Falë reagimit të menjëhershëm dhe të pandërprerë të të gjitha strukturave të Policisë së Shtetit, rreth orës 18:45, në afërsi të Sharrës në Kombinat, është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i autorit Dan Hutra, së bashku me armën e krimit të tipit kallashnikov.
Policia e Shtetit falenderon qytetarët për informacionet e dhëna dhe po kështu falenderon mediat për raportimin korrekt të ngjarjes dhe të veprimeve të Policisë.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version