Familja Nikulaj ka nxjerrë nga ngujimi të afërmit e Edmond Haxhisë, të cilët pas përfshirjes së tij në këtë ngjarje u ngujuan. Për të shmangur një tjetër tragjedi të mundshme, familja kërkon që ngjarja dhe historia që vijon prej vitesh, të zbardhet nga drejtësia. Ata kanë lënë pas gjakmarrjen, e cila ishte në këtë familje prej vitesh, për shkak të një konflikti që nisi në vitin 1997 mes dy fiseve.
E gjithë kjo vjen si pasojë e zbardhjes së shpejtë të kësaj ngjarje nga Policia e Lezhës, gjithashtu dhe bashkëpunimi me shtetin anglez dhe arrestimin e shpejtë të Haxhisë dhe 3 bashkëpunëtorëve të tij.
Autoritetet shqiptare po plotësojnë dosjen në ngarkim të këtyre personave për të bërë të mundur sjelljen e tyre para drejtësisë sonë, pasi ata akuzohen për një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në vendin tonë kohëve të fundit. Sipas të dhënave Prokuroria ka një mori pamjesh filmike, që janë edhe arma më e fortë e pranisë së tyre në skenën e krimit, prova shkencore, fakte dhe një sërë shkresash të identifikimit të momenteve kur kanë hyrë dhe dalë nga vendi jonë të gjithë protagonistët, përfshirë edhe dy të kërkuarit, që sipas policisë janë autori i vrasjes dhe informatori që është gjendur në hotelin e viktimës.
Edmond Haxhia, Thomas Mithan, Steven Hunt, Harriet Bridgeman të akuzuar si bashkëpunëtorë e informatorë në lidhje me vrasjen janë vënë në pranga në Londër dhe brenda datës 5 maj, Shqipëria duhet të përkthejë në anglisht provat dhe t’ia dërgojë Britanisë së Madhe për të bërë të mundur ekstradimin e tyre. Ndërsa në kërkim vijojnë Ruben Saraiva dhe Harry Simson. Vrasja u zbardh vetëm një javë pasi ndodhi. Edmond Haxhia akuzohet se solli në Tiranë 4 britanikët e portugezin për të mbyllur hesapet e gjakmarrjes që kishte të hapura me fisin Nikulja, që nga viti 1997. Haxhia është kushëri me vëllezërit Lestakaj që jetojnë në Londër dhe akuzonin Nikulajn se u kishte vrarë xhaxhain dhe nipin.