Indriti nga Mallakastra prej disa vitesh jetonte në shtëpi me qera në Tiranë. Mëngjesin e së ejntes 22 Gusht, pasi kishte telefonuar të fejuarën kishte vajtur në punë dhe pas takimit me kolegët kishte vajtur direkt në objektin 3 katësh të familjes Kusi në rrugën “Muhamet Gjollesha” për të vijuar punë e lënë përgjysëm në instalimin e kondicinorëve.
Pas rreth 3 orësh punë, ka lindur një debat me fëmijët e pronarit Griseldon dhe Albanon të cilët i kanë kërkuar llogari për nxjerrjen e tubit të shkarkimit të një prej kondicionerëve të lokalit në katin e parë.
Në debat e sipër, njëri prej vëllezërve godet me plumb në kokë Indritin dhe sëbashku me të vëllain i marrin mjetet e identifikimit dhe largohen.
Në këtë moment nis një skenë tjetër sa kriminale aq edhe e llahtarshme. Bujar Kusi babai i autorëve përpiqet të fshehë të vërtetën dhe duke bashkëpunuar dhe me punëtorët e tjerë dhe miqtë e tij që ishin prezent bën çdo përpjekje për të hequr dyshimet ndaj Griseldos dhe Albanos.
Pak minuta pas ngjarjes, Indriti i shtrirë përtokë kishte ende shenja jete, gjë që konstatohet dhe nga të pranishmit të cilët përpiqen për ti dhënë ndihmën e parë duke e transportuar me makinë private drejt spitalit ushtarak.

Një veprim i tillë do i jepte kohë Bujar Kusit dhe dy djemëve për të menduar se si do dilnin paq nga kjo histori.
Gjatë kohës së transportimit të të plagosurit drejt spitali ata kontaktojnë Lorenc Veliajn me bakkground të mëparshëm kriminal dhe i kërkojnë që të merrte përsipër ngjarjen, pasi për të do kujdeseshin ata që ti jepnin zgjidhje madje duke i premtuar dhe para.
Pas mbërritjes së të plagosurit në spital, policia sinjalizohet menjëherë dhe merr informacione se ku kishte ndodhur ngjarja.
Pas disa minutash, në vilën tre katëshe që po rikonstruktohej mbërrijnë skuadra shqiponja dhe patrulla e komisariatit numër2.
Ata përballen me Bujarin dhe personat e tjerë që ndodheshin në lokal dhe që sipas policisë ishin Edmond Sula, Ferdinant Bakalli dhe Luan Çaka ky i fundit nën presion të pranonte versionin e ri të ngjarjes.
“Mondi shoku ynë kishte gjetur një teknik për të na instaluar kondicionerët në lokalin që po rikonstruktojmë. Ditën e ngjarjes unë nuk ndodhesha aty. Më kanë sinjalizuar nga policia se duhet të paraqitesha në objekt. Kam telefonuar Mond Sulën dhe i kam thënë kush janë punëtorët e kondicionerit që më ke sjellë. Mondi më ka thënë se paskën bërë sherr Lorencin me këtë punëtorin e kondicionerit dhe Lorenci e paska qëlluar me armë zjarri, punëtorin e tubave të kondicionerit të cilin me emër nuk e njoh, por mësova se ishte në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin Ushtarak”.- tha para oficerëve të policisë babai i dy djemëve.
Pa kamera sigurie dhe me 4 persona që kishin ndërtuar një skenar të ri me autorë të rinj për plagosjen policia u vu në ndjekje të Lencit duke tentuar të bënte identifikimin e plotë dhe duke marrë karakteristika të përmasave fizike apo përshkrimin e veshjeve të asaj ditë në mënyrë që tua jepte të gjithë policiëve dhe nëse do konstatohej të kapej.
“Më 22 Gusht në orën 07:00 të mëngjesit kam shkuar në Kombinat te dyqani im i cili ndodhet në qendër të kombinatit është byrektore, aty kam qëndruar deri në orën 12:30 minuta. Rreth orës 11:00 më ka marr në telefon cuni im, Griseldo Kusi dhe më ka kërkuar shumën prej 50 mijë lekësh, unë e kam pyetur se për cfarë i do dhe më ka thënë se do dalë me vëllain Albanon dhe dy shoqe. Unë më pas shkova tërhoqa shumën e parave që më kërkoi cuni, kam edhe faturën e bankës në banesë dhe këtë shumë ia kam dhënë dy çunave.Të dy çunat Albano dhe Griseldo në dijeninë time ndodhen në plazh te Gjiri i Lalzit me dy shoqet e tyre të cilat nuk i njoh“- shtoi më tej në dëshminë e tij Bujar Kusi.
Ky version iu dha kohë vëllezërve Kusi të largoheshin qetësisht dhe ndaj tyre të mos kishte asnjë dyshim apo urdhër kërkimi .
Pas rreth më shumë se 30 minutash familjarët Kusi “ndihmojnë” policinë me identitetin e saktë të Lencit . Me të dhënat e reja policia shpall në kërkim 27 vjeçarin Lorenc Veliajn dhe dërgon efektivë policie për kontroll banese.
Por një tjetër dëshmi shtonte më tej kontradiksionin e ngjarjes. Ferdiand Bakalli do iu deklaronte policëve se Indriti kishte rënë nga skela dhe se kishte njoftuar ambulancën për ti dhënë ndihmë.
“Kam dal nga lokali ku ishte duke pirë kafe, rreth orës 11:19 dhe i është drejtuar objektit në rikonstruksion, ku ka dëgjuar disa zhurma e ulërima.Menjëherë pas këtij momenti, jam afruar aty te ky objekt dhe kam dëgjuar një person i cili ishte duke ulëritur me zë të lartë, të cilin pasi e kam pyetur se cfarë kishte ndodhur ky person më është prezantuar se ishte vëllai i një personi që ishte plagosur. Kam hyrë brenda objektit ku kam vënë re se një person ishte në gjendje të rënë për jetën dhe ishte i shtrirë në dyshme, të cilin në momentin që e kam parë ishte i shtrirë përmbys dhe në pjesën e kokës po i rridhte gjak, ky person i dëmtuar ishte i vetëm, kur pranë tij nuk kam parë asnjë person tjetër që po i jepte ndihmë, apo që ishte prezent”– deklaroi Ferdinand Bakalli.
Në ambjentet e reanimacionit të spitalit të traumës, Indriti po luftonte me jetën, mjekët më të specializuar ishin mbledhur sëbashku të gjithë për të bërë çdo përpjekje për ta shpëtuar të riun.
Megjithë insistimin e vazhdueshëm të doktorëve për të mësuar se kush ishte i riu , nga policia ende s`kishte asnjë të dhënë rreth idenitetit të tij. Me vete nuk kishte asnjë dokument identifikimi, nga ana tjetër Bujar Kusi dhe 3 personat e tjerë “nuk ja dinin emrin e saktë” .
Fakti që të riu nuk iu gjet asnjë dokument, nuk iu gjet as portofoli shtoi dyshimet dhe habiti hetuesit të cilët pyesnin “Si ka mundësi që një teknikë kondicioneri me rrobat e punës dhe në mes të kryeqytetit të mbulonte identitetin e tij”.
Një grup i oficerëve të policisë u ngarkua me detyrën për mbledhjen e kamerave të sigurisë së zonës të cilat do ndihmonin për tu orientuar se nga ishte larguar autori.
Orët po kalonin, policia priste që djemtë e Bujarit, Griseldo dhe Albanon të ktheheshin në tiranë për ti ndihmuar në kapjen e Lorenc Veliajt. Por pretekstet dhe justifikimet se nuk janë nisur akoma, tani për pak do nisen, apo ka trafik, shtoi akoma më shumë dyshimet se një gjë po ndodhte.
Pas shumë përpjekjeve në pasdite vonë, policia arriti të identifikonte të plagosurin, bëhej fjalë për Indrit Çelajn nga fshati Ngraçan i Mallakastrës, të dhëna që u tentuan të ndaheshin dhe me mjekët e spitalit të traumës, por në këtë moment oficeri i kontaktit i komisariatit numër tre në spital, merr lajmin e rëndë se pas disa orësh përpjekje, 26 vjeçari tashmë i identifikuar nuk ia kishte dalë, duke mbyllur sytë përgjithmonë.
Pak orë më vonë policia arrin të gjej Lorenc Veliajn dhe bën sikur nuk i bindet urdhërit të policisë. Ai jep versionin e tij të ngjarjes , por mungesa e një rrjedhje llogjike të mes provave në vendngjarje, versionit të dëshmitarëve dëshmisë së tij dhe provave të grumbulluara deri në ato momente , provonin se skena dhe autorët e vërtetë të krimit po tentoheshin të mbaheshin të fshehta.
Pas më shumë se 24 orëve policia arriti që me prova shkencore të provonte dinamikën e plotë të krimit dhe autorët e vërtetë të ngjarjes Griseldo dhe Albano Kusi të cilët tashmë janë në arrati.
Viktima
Indrit Çelaj 26 vjeç ( 05.12.1993) Mallakastër
Autorët e dyshuar të vrasjes
Griseldo B. Kusi 31 vjeç (1988) në kërkim
Albano B. Kusi 28 vjeç ( 1991) në kërkim
Akuza: “Vrasja me dashje” në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve luftarake dhe e municionit”
Të arrestuar deri tani:
Lorenc Veliaj 27 vjeç “Kundërshtim me dhunë i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve lufatarke dhe municionit” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Edmond Sula 43 vjeç -“Vrasja me dashje” në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve luftarake dhe e municionit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.
Bujar Kusi 54 vjeç ( 1965) “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vertetës”
Ferdinant I. Bakalli 41 vjec ( 1978) Tiranë “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vertetës”
Luan Çaka bojaxhi “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vertetës”