Endrit Dokle ka mohuar para grupit hetimor të ketë lidhje me masakrën e Fushë-Krujës. Mbrëmjen e djeshme, ai u shoqërua nga policia dhe para efektivëve është shprehur se në momentin e vrasjes, ishte në një vend tjetër. Madje, ai u ofrua të vinte në dispozicion edhe kamerat e sigurisë të vendit ku ishte në kohën kur ndodhi vrasja e trefishtë.
‘S’kam lidhje me ngjarjen. Nuk kam asnjë konflikt me ta. Jam ndodhur në një ambient me kamera sigurie kur ka ndodhur ngjarja dhe mund tua vë në dispozicion”.- ka dëshmuar Dokle.

Ç’ndodhi një natë më parë?
Mbrëmjen e djeshme, policia arrestoi tre persona gjatë një aksioni ‘blic’. Endrit Dokle, Fatjon Murati, 32 vjeç, si dhe kunati i Dokles, Gentian Reçin, u vunë në pranga, pasi u kapën në një mjet. Fillimisht policia pikasi Doklen, e pas kontrolleve u zbuluan dhe dy emrat e njohur. Pa kaluar 24 orë, Dokle dhe Reçi u lanë të lirë, ndërsa në arrest është mbajtur vetëm Murati. Atij iu është prerë fletë-arresti, pasi ishte shpallur në kërkim si bashkëpunëtor i Kristjan Gjinit, 25 vjeç, për ngritjen e një baze armësh në Tiranë. Shoqërimi i Dokles u bë pasi ishte nën shoqërinë e një personi të shpallur në kërkim. Tashmë ai është i lirë.