Disa persona u vunë në përgjim nga Policia dhe Prokuroria e Tiranës me dyshimin se kishin lidhje direkte me masakrën e ndodhur brenda lokalit në Don Bosko, por për gjatë kohës që po vëzhgoheshin telefonat ishin të fikur. Kështu që e vetmja “shpresë” mbeten kamerat e sigurisë që kanë fiksuar itinerarin e autorëve, para dhe pas krimit të ndodhur.

Burime nga grupi hetimor për “TvKlan” po verifikon dhe tabulatet telefonike që kanë operuar në kohën dhe në zonën ku ka ndodhur ngjarja, por deri më tani asnjë prej të dhënave të përftuara nuk ka ndihmuar hetuesit për të rënë në gjurmët e autorëve të atentatit.

Lidhur me ngjarjen, gazetari investigativ Artan Hoxha i ftuar në emisionin “Opinion” në “Neës24” zbuloi se autorët brenda një harku kohor prej 25 minutash kanë shkuar nga Qafa e Kasharit në Don Bosko ku kryen atentatin dhe më pas janë shfaqur sërish në Qafë Kashar, pa pasur asnjë ndalesë. Ndërsa shtoi se kjo ngjarje ka ndodhur në kuadrin e luftës mes grupeve kriminale, më saktë mes atij të Ervis Martinajt dhe atyre që Hoxha i cilësoi si një “aleancë” e krijuar për t’iu kundërvënë atij.

“Media e përdor si batutë, por u them njerëzve të kenë kujdes në ambientet ku ulen. Në 1000 raste nuk ndodh gjë, por mund të ndodhesh në vendin e gabuar në kohën e gabuar. Në rastin konkret nuk u vra një qytetar i thjeshtë, simbolika është e rëndë. Është vrarë një gjyshe, është plagosur mbesa. Djali i saj tha që nuk ishte as në punë në atë moment, por po pinte kafe. Ky është një atentat me simbolikë, terrori që çon te qytetarët është më i madh se pasojat. Ajo breshëria e plumbave ka terrorizuar qytetarët dhe ka sjellë pasiguri. Ky atentat ndodh në një zonë afër qendrës dhe autorët për 25 minuta shfaqen në Qafë Kashar pa ndalesë, hyjnë në Don Bosko dhe shfaqen sërish në Qafë Kashar. Hynë dhe godasin me qetësinë më të madhe. Kjo skuadër vrasësish është ende e lirë dhe ka rrezik potencial të bëjë të njëjtën gjë. Kjo ka të bëjë me përplasjen e Ervis Martinajt dhe një grupi tjetër, është një aleancë grupesh kundër Martinajt,”-tha Artan Hoxha.

Por deri më tani përveç dyshimeve nuk ka asnjë provë konkrete për identifikimin e autorëve, ndërkohë që kontrolle me detaje janë bërë në mjetin e gjetur në Bubq, që dyshohej se u përdor nga autorët e masakrës, që la të vdekur vetëm banakieren e lokalit të Fatjon Muratit, Mimoza Paja. 

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version