Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj hodhi dyshime të forta mbi kohën e vënies në dispozicion Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të urdhërarresteve të lëshuara nga prokuroria për tre ish krerët e policisë së Vlorës. Xhafaj tha se ish-zyrtarët e policisë nuk kanë qenë nën vëzhgim nga policia deri me datën 22 nëntor,atëherë kur i janë dhënë urdhërndalimet e gjykatës.
“Nuk kanë qenë nën vëzhgimin tonë. Në momentin që policia është vënë në dijeni, atëherë ka nisur procesi i mbikqyrjes nga policia. Përpara këtij fakti policia nuk ka pasur dijeni për këtë. Ose më saktë plicisë nuk i është lënë detyrë mbikqyrja. Duhet të merrni informacion më të plotë, për shkak se deri në datën 22 që ka marrë aktet SHÇBA nuk ka pasur dijeni për këtë gjë. Çfarë ka ndodhur më përpara duhet të pyesni prokurorinë me kë e ka pasur në vëzhgim, jo ministrinë”- u shpreh Xhafaj
Reagimi i Ministrit të Brendshëm vjen në një kohë kur prokuroria mori fletëarrestet e lëshuara nga gjykata e krimeve të rënda me datën 21 nëntor. Mëngjesin e datës 22 rreth orës 10:30 akuza ia dërgoi aktet shërbimit për cështjet e brendshme dhe ankesat në ministrinë e brendshme.
Në mbyllje i pyetur nga mediat se si janë marrëdhëniet mes ministrisë e prokurorisë Xhafaj u përgjigj se” Thjesht institucionale”
Për rastin një ditë më parë Ministria e Brendshme depozitoi në prokurori një kallëzim për dekonspirim të operacionit për ekzekutimin e fletë arresteve.Ministria kërkon hetim të plotë për të gjithë personat që kanë pasur dijeni për operacionin përfshirë këtu dhe prokurorët. Nga ana tjetër organi i akuzës ende nuk ka dhënë një spjegim zyrtar se përse urdhrat e ndalimit të cilat mbanin datën 21 nëntor iu dërguan policisë një ditë me vonesë.
Jeld Cela Gjergji Kohila e Sokol Bode vijojnë të mbeten në arrati por hetuesit dyshojnë se ata fshihen në Shqipëri.
Ndonëse për ta ka të dhëna daljesh në sistemin TIMS prokuroria dyshon se nuk mund të jenë regjistruar për hyrjet e mëparshme.//sosnews.al
