Një hulumtim i detajuar i sosnews pak ditë më parë hodhi dritë mbi falsfikimin dhe mashtrimin që ishte bërë me dorëzimin për vlerësim të dokumentacionit nga ana e prokurorit të shkodrës Vate Staka tek institucioni i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Me dokumentat e falsifikuara prokurori 54 vjeçar shkodran, kishte arritur të kalonte me sukses procesin e vettingut!
Sosnews thellon akoma më tej hulumtimin gazetaresk rreth rastit në fjalë duke sjellë detaje të tjera rreth këtij skandali.
Mësohet se pas interesimit tonë si media dhe publikimit të rastit, Prokuroria e Përgjithshme u angazhua për verifikimin e të dhënave duke ngarkuar prokuroren Anila Leka që të bënte një vlerësim të detajuar të dosjeve hetimore që ka patur prokurori Staka gjatë viteve 2013- 2016 në të cilat është ndërhyrë për të përmirësuar apo ndryshuar aktet.
Nga ana tjetër konfirmohet se është arritur të zbulohet se kush ka qenë bashkëpunëtorja kryesore e prokurorit Staka në falsifikimin e akteve të dosjeve hetimore me qëllim përmirësimin e tyre për t`ia paraqitur Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Bëhet fjalë për kryesekretaren e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër Zamira Spahija!
Me një përvojë të gjatë në administratën e Prokurorisë së Shkodrës, Zamira Spahija ushtron detyrën e kryesekretares dhe është personi përgjegjës për ruajtjen e arkivës.
Sipas skemës së zbuluar, dyshohet se ka qenë kryesekretarja Spahija e cila në bashkëpunim me prokurorin Staka dhe me një punonjëse tjetër emri i të cilës nuk bëhet me dije për momentin, të kenë kryer falsifikimin dhe ndryshimin e akteve të fashikujve të procedimeve penale të cilat janë hetuar më parë nga prokurori Vate Staka për të cilat ose ka patur një vendim të formës së prerë nga gjykatat ose janë pushuar për mungesë provash.

Dyshimet janë se prokurori ka ndryshuar edhe shumë fashikuj të tjerë të periudhës 3 vjeçare të vlerësimit 2013-2016.
Këto ndërhyrje dalin në pah nga krahasimi i fashikujve që ndodhen në Prokurori me kopjet origjinale që ndodhen në Gjykatën e Rrethit Shkodër, ku konstatohet, ndryshim i akteve duke shtuar tek të falsifikuarat akte të përmirësuara nga pikëpamja cilësore dhe përmbajtësore e tyre.
Nga verifikimet e sosnews pranë organit qëndror të akuzës, evidentohet fakti se kryesekretarja e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër Zamira Spahija ka qenë dhe më parë nën hetim për korrupsion pasiv dhe nxjerrje të sekretit hetimor, dosje e cila pas zvarritjeve disa mujore u arrit të pushohej duke e nxjerrë të “palagur” nga përgjegjësia penale kryesekretaren.
Hetimi i këtij rasti pritet të zbulojë dhe shkelje të tjera ligjore të kryera nga administrata e Prokurorisë së Shkodrës në bashkëpunim me prokurorë të caktuar./sosnews.al


