Karabinierët ‘del Ros’ kanë zbuluar një strehë të dytë të përdorur nga bosi Matteo Messina Denaro, i cili u kap pak ditë më parë në Palermo pas 30 vitesh në arrati.
‘Ansa.it’ raporton se përveç apartamentit në San Vito në Campobello di Mazara, bosi i mafias dyshohet se kishte ndërtuar një lloj bunkeri brenda një shtëpie tjetër në të njëjtën zonë.
Nuk dihet ende nëse ky është vendi ku shefi i mafias fsheh thesaret e tij: dokumente konfidenciale. Karabinierët do të zbulojnë se çfarë ka aty pas kontrollit të bunkerit, i cili ndodhet rreth 300 metra larg shtëpisë në vicolo San Vito.
Hetuesit e Gico të Guardia di Finanza zbuluan strehën e dytë falë analizës së disa të dhënave kadastrale. Pikërisht skanimi i kësaj serie informacioni, së bashku me një analizë të kontekstit të rrjedhur nga një aktivitet informativ dhe hetimor, ka bërë të mundur gjetjen e vendstrehimit.
Bosi mafioz Matteo Messina Denaro ka kaluar tashmë orët e para në burgun e sigurisë së lartë. Ai ka organizuar qelinë dhe është shumë aktiv, duke u treguar gjithmonë i buzëqeshur me stafin që takon në burg.
“Sjellja e tij do të ishte një sjellje anormale në krahasim me mënyrën sesi sillen zakonisht të burgosurit në 41 bis“- tregojnë burimet për ‘Ansa’.
Denaro iu është nënshtruar një kontrolli të gjatë mjekësor mëngjesin e sotëm. Sipas asaj që mësohet, pavarësisht konfidencialitetit shumë të rreptë, të gjitha terapitë dhe procedurat preferohet të zbatohen në burg për të minimizuar udhëtimet në spital, gjë që do të shkaktonte masa shumë të rëndësishme sigurie.
Anti-Mafia Italiane arrestoi pas 30 vitesh në kërkim bosin e mafias famëkeqe Cosa Nostra, Messina Denaro. Ai u arrestua në një klinikë private në Palermo. Ai ishte duke marrë trajtim rreth orës 09:00, kur karabinierët zbarkuan dhe mbi 100 policë u përfshinë në arrestimin e tij. Messina Denaro është dënuar dhe gjykuar në mungesë për një sërë vrasjesh, përfshirë edhe ekzekutimin e dy prokurorëve të antimafias, Giovanni Falcone dhe Paolo Borsellino në vitin 1992.
Skeda e tij kriminale vazhdon me të tjera ngjarje të rënda si sulmet me bomba vdekjeprurëse të vitit 1993 në Milano, Firence dhe Romë, dhe rrëmbimin, torturimin dhe vrasjen e djalit 11-vjeçar të një mafiozi që ishte kthyer në të penduarin e drejtësisë. Denaro mbikëqyri gjithashtu shantazhin, hedhjen e paligjshme të mbeturinave, pastrimin e parave dhe trafikun e drogës për sindikatat e fuqishme të krimit të organizuar Cosa Nostra. Ai thuhet se ishte i mbrojturi i Totò Riina, kreut i klanit Corleone, i cili u arrestua në vitin 1993 pas 23 vitesh në arrati. Edhe arrestimi i Denaro është bërë në të njëjtën datë. Por edhe pse në arrati, aktiviteti i Denaro vazhdonte ku mendohet se ai jepte urdhra vartësve të tij nga vende sekrete për ekzekutime dhe trafiqe.

