Në Shqipëri jemi mësuar të dëgjojmë vjedhje nga më të ndryshmet që nga ato klasiket si çantat, varëset, celularët e deri te ato më të sofistikuarat si bankat, biznese të ndryshme por dhe automjetet e shoqërive private të sigurisë nga profesionistë.
Por në vendin tonë ka dhe raste vjedhjesh nga ato që vetëm shqiptarët dijnë ti bëjnë. I tillë ishte rasti në fshatin “Mullet” ku Fatos Hasa 27 vjeç nga Thumana e Krujës kishte arritur të modifikonte një gjenerator për të vjedhur naftën e makinave.
Sëbashku me të në pranga ranë dhe dy persona të tjerë ndërsa atyre iu gjetën 120 litra naftë të vjedhur.
Por veç kësaj një tjetër vjedhje tipike e vendit tonë është dhe ajo e një dite më parë në fshatin “Shëngjin i Vogël” në Tiranë. Policia arriti të arrestojë një 58 vjeçar pasi në shtëpinë e një gruaje tentoi të vjedhë një dele. Në mjaft raste ka pasur denoncime për vjedhje bagëtish ku çmimi i një lope ka arritur deri në 2 mijë euro.
Në Shkodër në lagjen Skënderbeg një hajdut arriti të merrte një televizor plazma si dhe dy biçikleta. Sikur mos të mjaftonte kjo policia tha se në shtëpinë e 54 vjeçarit e cila u bë pre e vjedhjes, hajduti mori dhe veglat e punës !
