Nga: Dritan Laci

Gati e shikoj si një fiction shqiptar të paekranizuar që na del çdo ditë rëndom përpara syve me tragjjizmin, fatalitetin, disfatizmin dhe komicitetin me të cilin e marrim jetën në Shqipëri. Një vajzë 20 vjecare e martuar që tradhëton burrin që në muajt e parë të martesës, me një burrë të martuar me tre fëmijë.

Epsh i pashuar apo inat me botën që e martoi pa dashuri. Nuk di të them me saktësi. As nuk dua të përpiqem të paragjykoj, justifikoj apo të mos i jap arsye qëllimeve të saj fiziologjike të përmbushura në perceptimin tonë si të jashtëm në këtë histori.

Ajo që trondit në gjithë këtë histori është kafsha njerëzore, që ka mbetur si një paradigmë mesjetare në subkoshiencën e shqiptarit. Një histori që përsëritet e përsëritet e përsëritet, aq shpesh sa kohë pas kohe prodhon viktimat e saj të gjalla dhe të nëndheshme.

Një lloj monstruoziteti i përbërë nga zakone të pabesa të veshura me mish dhe gjak dhe një lloj bese që i rri si roje pabesisë, gati për ta vrarë pas shpine sa herë i shfaqet, për hir të një kodi që quhet nder, I krijuar po ashtu nga qenie të pandershme.

Në këtë këndvështrim do ta shikoja edhe ngjarjen e fundit, ku miksohen në një realitet fatalist, dyshimi, tradhëtia, pabesia dhe pronësia patriarkale apo matriarkale mbi mallin që quhet femër. Një femër vetëm 20 vjeç, grua që kurrsesi nuk ka se si të jetë e kënaqur nga një burrë që kënaqësinë e vetme ka dredhjen e zinxhirit në kafene.

Një femër që gjen hamshim te burri më i dalë i fshatit, shoferi i furgonit ekuivailent me një hammer në bllok. Një burrë i martuar që bredh si Kazanova mullareve, në kërkim të siseve dhe shalëve të bardha.

Dhe një hije dyshimi që i ndjek nga pas hap pas hapi, që kap mat motrën e martuar me shoferin machoman me syrin futur te kashtorja ku luhet nderi i tij. Në fund akti final i tragjedisë që përfundon gjithmonë në fatalitetin e gjallë dhe të nëndheshëm.

Një qysqi pas koke nga ato që çajnë drutë, dashnorit të mullarit pa hënë, dhe një telenovelë që do ta shikojmë aq shpesh me tituj të ndryshëm në këtë vendin tonë, që prodhon kaq shume fatalitet mizor sa do ishte një burim i mirë skenaresh për çdo regjisor që do të donte të shkruante filmin e tij të jetës.

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version