U shkarkuan si të paaftë për tu përballur me krimin, por sapo ngjarja u harrua, shefat e policisë së Elbasanit kanë marrë sërish detyra të rëndësishme.
Pas emerimit të ish-zv drejtorit Gjergj Oshafit në drejtorinë e përgjithshme të policisë në sektorin kundër trafiqeve, edhe ish drejtori i policisë Elbasan Arben Dashi ka marrë një detyrë po të rëndësishme.
Për situatën e rënduar kriminale në Elbasan ai është shpërblyer me postin e drejtorit të analizës në drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit.
Burimet po ashtu bëjnë me dije se edhe ish-shefi i komisariatit Elbasan Zija Sulaj pas një periudhe 2 mujore pushim është emëruar shef komisariati në Dibër.
E çuditshme që këta individë në policinë e shtetit vijojnë të promovohen kur në fakt përformanca e tyre la për të dëshiruar madje i uli imazhin policisë së shtetit.
Audi blinduar “përdhosi” reputacionin e policisë, atentatet në Elbasan vijojnë, atëherë lind pyetja, mbi ç’farë kriteresh këta titullar e kaluan ngjarjen me vetëm disa masa disiplinore dhe një periudhë “relaksi” pushim ?
Në rast se këta shefa nuk paskan qenë përgjegjës për situatën e krijuar në Elbasan atëherë përse u shkarkuan me pompozitet, ku Drejtori i Përgjithshëm Haki Çako u invetua personalisht në një konferencë për median duke i përmendur nominalisht të gjithë drejtuesit që me mos veprimin dhe veprimin e tyre, sipas Çakos shpërdoruan detyrën dhe njollësën imazhin e Policisë së Shtetit.
Sos news do vijojë të denoncojë paligjshmërinë jo vetëm në rradhët e policisë së shtetit por të çdo institucioni, pasi ne jemi në krah të qytetarëve.
19.10.2017 Komunikim për mediat i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Haki Çako:
Rreth një muaj më parë, një ngjarje e rëndë ka ndodhur në qytetin e Elbasanit.
Forcat e policisë, të angazhuara në një operacion kontrolli rutinë, u përballën me disa individë të dyshuar.
Fatkeqësisht, forcat policore nuk ishin në lartësinë që kërkon detyra.
Mosveprimi i tyre solli që të dyshuarit të largohen dhe kësisoj operacioni të dështonte.
Pamjet filmike të operacionit të dështuar ishin gjithashtu tronditëse.
Dëshmia që u përcoll në opinionin publik e forcave policore që vëzhgonin të dyshuarit teksa largoheshin, madje dhe goditeshin prej tyre pa marrë asnjë kundërpërgjigje, ishte shokuese.
Policia e Shtetit është në shërbim dhe në mbrojtje të qytetarëve dhe misioni ynë është të transmetojmë siguri tek publiku.
Fatkeqësisht, ngjarja e Elbasanit, ishte një cënim për imazhin dhe punën e Policisë së Shtetit.
Në orët e para, fokusi ynë kryesor ishte stabilizimi i situatës. Por sigurisht, nuk mund të mos kryhej edhe një analizë e hollësishme e ngjarjes së ndodhur.
Pas hetimit të kryer nga Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshmë të Policisë së Shtetit, por edhe duke vlerësuar raportin e detajuar të SHÇBA-së, është arritur në konkluzionin se strukturat drejtuese dhe operuese në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan janë treguar të paafta për të menaxhuar situatën e krijuar në datën 18 shtator 2017.
Me veprimet dhe akoma më keq me mosveprimet e tyre, situata është përshkallëzuar dhe personat përgjegjës për ngjarjen e rëndë nuk janë arrestuar dhe vendosur përpara drejtësisë në kohën e duhur.
Ngjarja në fjalë tregon për një punë të dobët të kryer nga strukturat përgjegjëse në këtë drejtori në luftën kundër grupeve kriminale që kanë vepruar prej vitesh në qytetin e Elbasanit.
Sigurisht kjo ngjarje kërkon nxjerrjen e përgjegjësive konkrete.
Pikërisht prandaj, në konstatim të shkeljeve të rënda bazuar në Rregullorën e Policisë së Shtetit, kam urdhëruar masa disiplinore për 12 drejtues dhe punonjës të Policisë së Elbasanit, si më poshtë:
1. Lirimin nga kjo detyrë të Drejtorit të Policisë Vendorë Elbasan, Drejtues i Parë Arben Dashi dhe vënien në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit , për emërimin e tij në një detyrë tjetër.
2 .Shkarkimin nga detyra të Zv/Drejtorit të Policisë Vendore Elbasan, Kryekomisar Gjergji Oshafi.
3. Shkarkimin nga detyra të Shefit të Sektorit për Krimet e Rënda, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, Kryekomisar Ilir Sula.
4. Shkarkimin nga detyra të Shefi I Rendit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, Kryekomisar Kujtim Muça
5. Shkarkimin nga detyra të Shefit të Komisariatit të Policisë Elbasan,Kryekomisar Zija Sulaj.
6. Shkarkimin nga detyra të Shefit të Seksionit për Krimet e Rënda, N/Komisar Ervin Ballaci.
7. Shkarkimin nga detyra të Shefit të Seksionit për Krimet në Komisariatin e Policisë Elbasan, N/komisar Abedin Halilaj.
8. Shkarkimin nga detyra të Specialistëve për Krimet, N/Komisar Petrit Mustafa, N/komisar Klajdi Hoxha dhe N/komisar Gerald Agalliu.
9. Shkarkimin nga detyra të SPZ-së, Inspektor Gëzim Suli.
10. Përjashtim nga Policia e Shtetit për SPZ, Inspektor Ferdinand Balliu.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan do t’i nënshtrohet një ristrukturimi nga themelet dhe do të godasë fort dhe deri në fund, për asgjësimin e çdo rrjeti kriminal në zonën e Elbasanit.
Për këtë arsye kam komanduar në krye të kësaj drejtorie një nga drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit, Drejtorin e Departamentit të Sigurisë Drejtues i Lartë Altin Qato, i cili do të mbështetet nga një sërë specialistësh të Drejtorisë së Përgjithshmë të Policisë së Shtetit, të caktuar në mbështetje të tij për drejtimin dhe menaxhimin e strukturave Vendore qoftë në planin e ristrukturimit të plotë, qoftë në planin e goditjes së elementeve kriminalë.
Së fundmi, dëshiroj t’i drejtohem të gjithë qytetarëve:
Kini besim të plotë tek Policia e Shtetit.
Lëkundjet në misionin e saj janë nje fenomen që duhet mirëkuptuar si pjesë e një procesi reformimi e transformimi rrënjësor që ka nisur, por nuk ka mbaruar.
Dhe më e rendesishmja është që asnjë lëkundje nuk do të tolerohet dhe asnjë shkak për lëkundje nuk do të anashkalohet, por do të adresohet me vendosmëri.
Policia e Shtetit është e vendosur për një luftë pa kompromis ndaj çdo shkelësi të ligjit, grupeve kriminale, apo çdokujt që cënon sigurinë dhe qetësinë e qytetarëve.
Pas vendosjes në kontroll të plote të territorit dhe çrrënjosjes shembullore të kanabisit ka nisur faza e dytë: Goditja e grupeve kriminale dhe sekuestrimi i aseteve të tyre.
Deri tani jane sekuestruar rreth 35 milionë euro pasuri kriminale në periudhe 9 – mujore kohë, nje shifër rekord për Policinë e Shtetit.
Kjo fazë ka vetem pak kohë që ka nisur dhe ne do të vazhdojmë goditjen e grupeve kriminale e të godasim bazën ekonomike të këtyre grupeve akoma më fort dhe në bashkëpunim të ngushtë me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Kjo është një betejë e gjatë, por ne jemi të vendosur ta çojmë deri në fund.
Policia e Shtetit fton qytetarët të telefojnë falas në numrat 112 ose 129 për të denoncuar çdo shkelje të ligjit apo veprimtari kriminale, duke i garantuar për reagim të shpejtë dhe të ashpër në çdo rast.
Ne jemi në shërbimin tuaj!
