Niko Brahimaj drejtori i hetimit të krimeve të rënda në policinë e shtetit bëri atë që di të bëjë më mirë pas çdo ngjarje të rëndë, një mbledhje.

Në njoftimin e shpërndarë për mediat Policia e Lezhës shkruan:  “Në lidhje me ngjarjen e ndodhur, Policia, me mbështetjen e ekspertëve të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit po vijon intensivisht punën për zbardhjen e kësaj ngjarje, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, është duke u zhvilluar një analizë e hollësishme në lidhje me ngjarjen, analizë e kryesuar nga Drejtori për Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit Niko Brahimaj”.

Fjalive standarte të policisë për ngjarje të tilla gjithmonë u shpëtojnë autorët ndërsa në çdo rast nuk mungojnë operacionet e “suksesshme” për ndalimin e atyre që lëvizin pa patentë apo atyre hallexhinjve të cilët të vetmen mundësi jetese e kanë me motorrët e tyre “Papaq” ose “Yinxiang”.

E kur në rrugët e vendit arrestohen me qindra të tillë “pa patentë”,  për ngjarje të rënda ato nuk numërohen dot as me gishtat e duarve.

Grupet e posaçme hetimore të policisë vijojnë të jenë ata që “mbysin” prokurorinë me qindra dosje patentash, celularësh të humbur a të vjedhur, sherresh banale, por kur vjen puna tek vrasjet mafioze Policia dhe drejtoria e hetimit të krimeve të rënda bën mbledhje a thua se autorët janë aty dhe çdo minutë e orë që kalon “analiza” e Niko Brahimajt u jep më shumë mundësi, jo që të arrestohen por që të largohen.

Në fund për të mbërritur tek administrimi i provave. Policia e Lezhës shkruan se:

“Nga Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë të mbështetura dhe nga shërbimet FLO Shkodër, është krehur e gjithë zona, për të bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin e provave të tjera materiale, si dhe po administrohen të gjitha pamjet filmike të kamerave të sigurisë, të vendosur nga objekte dhe biznese private.

Policia po analizon dhe përpunon me kujdes të gjitha provat materiale të administruara në vendngjarje si dhe në ambjente të tjera që lidhen me të,  nëpërmjet laboratorit shkencor dhe te gjitha potencialeve policore”.

Administrimi i provave është një nga procedurat më komplekse që një grup ekspertësh në polici duhet të bëjë më së miri.Një provë e çuar dëm është një ngjarje e pazbardhur. Por të gjithë e dijnë se në këtë pikë policia është si mos më keq. Mjafton këtu të kujtojmë rastet e qindra bizneseve të cilët detyrohen të zëvëndësojnë sistemin e kamerave të sigurisë. Kjo për të vetmen arsye se ekspertët në vend që të marrin pamjet e kamerave të sigurisë “shkulin” të gjithë sistemin me DVR përkatëse për të nxjerrë pamjet në një process që mjafton një USB.

Dhe si gjithnjë pas çdo njoftimi të policisë është fjalia e famshme.

Materialet i kaluan për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë Rrethit Gjyqësorë Lezhë, për veprat penale të parashikuara nga nenet 78/278 të Kodit Penal “Vrasje me paramendim” dhe “Mbajtje pa leje e armeve të zjarrit dhe municioneve luftarake”.

copyright: sosnews.al

Leave A Reply

Do t`u japim zë të pazëve dhe t`u kërkojmë llogari atyre që nuk e bëjnë. Ne jemi S.O.S !

 

Exit mobile version